Shkup, 16 mars – Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është në një fazë kritike, ku ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ndryshimet institucionale kanë hapur dilema serioze mbi të ardhmen e tij. Ky ligj, i miratuar në vitin 2018, garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe gjuhëve të komuniteteve mbi 20% të popullsisë, por që nga miratimi i tij ka qenë vazhdimisht nën presion politik e juridik, shkruan Zhurnal.
Momente kyçe të rrezikimit të ligjit –
– 13 dhjetor 2024 – Gjykata Kushtetuese caktoi seancë për shqyrtimin e disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me tendencë abrogimin e tyre. Për shkak të protestave të organizuara nga BDI dhe presioni publik, seanca u shty.
– Shkurt 2025 – U paraqitën mocione të reja për shfuqizimin e disa dispozitave, duke argumentuar se ligji bie ndesh me Kushtetutën.
– Prill 2025 – Kalimi i kompetencave të Inspektoratit të Përdorimit të Gjuhëve në Ministrinë e Drejtësisë u interpretua si cungim i veprimit, sepse zvogëlon autonominë e institucionit që duhej të mbikëqyrte zbatimin e ligjit.
– Janar 2026 – U paralajmërua se disa nene të ligjit mund të abrogohen, duke përfshirë përdorimin e shqipes në procedurat gjyqësore dhe dokumentet zyrtare.
– Mars 2026 – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, deklaroi publikisht se “gjuha angleze ka përparësi ndaj shqipes” në disa kontekste, duke ngritur dyshime mbi orientimin e gjykatës.
Qasja e Gjykatës Kushtetuese –
Gjykata Kushtetuese ka nisur procesin e shqyrtimit të ligjit shumë më herët, duke e konsideruar se disa nene bien ndesh me Kushtetutën. Kjo qasje është parë si tentativë për abrogim të pjesshëm ose të plotë, e cila do të dobësonte statusin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Nëse ndodh shfuqizimi do të ndodhin edhe probleme të mëdha politike e shoqërore, shqiptarët që përbëjnë mbi 30% të popullsisë, do ta shohin këtë si mohim të të drejtave kushtetuese.
Mobilizim i shqiptarëve do të prodhojë protesta masive, presion politik dhe destabilizim i marrëdhënieve ndëretnike. Rreziktjetër i madh për integrimin evropian. Pra, çdo hap prapa në të drejtat gjuhësore shihet si regres demokratik dhe mund të dëmtojë imazhin e vendit në raport me BE dhe NATO.
Se një veprim i tillë sjellë pasoja e ka parashikuar edhe ish presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili në një prononcim të tij e tha qartë dhe drejtë se kjo çështje do të krijojë problem të madh.
“Dikush supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji… Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ish presidenti, Stevo Pendarovski, në emisionin “Këndi i Debatit”
Nga tentativat e njëpasnjëshme që kemi përmendur sipër, dhe nga kjo deklaratë e ish presidentit lirshëm mund të vijmë në këtë që Ligji për përdorimin e gjuhëve është në rrezik real. Seancat e shtyra, mocionet për shfuqizim, kalimi i kompetencave të inspektoratit dhe deklaratat e kryetarit Kostadinovski e vendosin shqipen në pozitë inferiore.
Kujtojmë që, Ligji për përdorimin e gjuhëve i miratuar më 15 mars 2018, është një akt themelor që e vendos gjuhën shqipe krahas maqedonishtes si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror dhe lokal, duke garantuar përdorimin e saj në administratë, dokumente, gjykata dhe komunikim publik. /Zhurnal.mk
