“Dy ASH në pushtet dhe dy ASH në opozitë” emrat e partisë në proces të ndryshimit por kujt po i mbetet ideologjia e vërtetë?

Nga I.A
820 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 mars – Procesi i ndarjes së Aleancës për Shqiptarët është një shembull tipik i fragmentimit politik brenda një subjekti që dikur synonte të ishte faktor i vetëm. Fillimisht, ASH-ja e Ziadin Selës u nda nga Arben Taravari. më vonë, ASH-ja e Taravarit u nda nga Arben Fetai, e më pas, ASH-ja e Fetait u nda nga Azir Aliu. Një zinxir ndarjesh që e bën të duket sikur një parti e vetme është shpërndarë në katër versione të ndryshme. Pas përfundimit të procesit gjyqësor, vulat përfundimisht i mbetën Arben Taravarit, ndërsa Ziadin Sela paralajmëroi formimin e një partie të re me emrin Lidhja Shqiptare. Ndërkohë, “ASH-të” që janë pjesë e pushtetit po veprojnë në heshtje, kurse ato në opozitë janë dukshëm më aktive dhe më të zëshme, shkruan Zhurnal.

Kujt i mbetet ideologjia e ASH-së së vërtetë?

ASH-ja nuk lindi si një projekt i rastësishëm, por si vazhdimësi e ideologjisë së PDSH-së së Arbën Xhaferit. Të gjithë liderët që sot pretendojnë trashëgiminë e saj thirren në emër të kësaj ideologjie politike, duke e paraqitur veten si pasardhës të një vizioni që synonte faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Por pyetja thelbësore mbetet se kujt i takon në të vërtetë kjo ideologji? Fragmentimi i vazhdueshëm ka krijuar një situatë ku secili grup e interpreton sipas interesit të vet, duke e relativizuar kuptimin e “ASH-së së vërtetë”. Në këtë mënyrë, ideologjia rrezikon të shndërrohet në një flamur simbolik pa përmbajtje të unifikuar.

Sa i përket ideologjisë së vërtetë të ASH-së  në faqen zyrtare që ekziston vetëm një deri në këto momente figuron Statusi i partisë ku janë të definuara gjitha çështjet që ndërlidhjen me këtë subjekt politik të përçarë disa herë.

Në nenin 20, 21 dhe 22 të Statutit të partisë ASH-së së Taravarit tek i cili janë vulat ligjërisht shkruan: “ALEANCA PËR SHQIPTARËT është parti e qendrës se djathtë. Koncepti bazë në ndërtimin e shtetit është koncepti liberal. Në kuptimin e brendshëm organizativ ALEANCA PËR SHQIPTARËT ngërthen elemente të partive kadrovike dhe masovike.”

Statutin e plotë mund ta lexoni këtu. chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://www.aleanca.org.mk/wp-content/uploads/2025/09/Statuti-i-ASH-se-16-shkurt-2024.pdf

Shqiptarët kanë nevojë për parti të bashkuara –

Historia politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka treguar se vetëm kur janë të bashkuar, ata arrijnë të faktorizohen dhe të kenë peshë reale në vendimmarrje. Sot, skena politike shqiptare është e mbushur me shumë parti, shpesh me programe të ngjashme, por të ndara nga ego personale dhe rivalitete të brendshme.

Projekti i koalicionit VLEN ka hapur një debat të ri nëse këto parti do të shkrihen në një subjekt të vetëm, kjo mund të ndihmojë në konsolidimin e skenës politike. Sa më shpejt që shqiptarët të bashkohen në dy blloqe të qarta politike një në pushtet dhe një në opozitë aq më të dobishëm do të jenë për komunitetin që përfaqësojnë në këtë rast, shqiptarët, por edhe për stabilitetin e sistemit politik në vend. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër