Debate në Kuvend, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për rreziqe të mundshme nga Irani

Nga D. V.
315 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 prill – Zhurnal.mk – Seanca e sotme plenare e Kuvendit nisi me debate lidhur me çështjen e sigurisë kombëtare, pas mesazhit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rreziqe të mundshme nga grupe të lidhura me Iran.

Fillimisht deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ngriti shqetësimin për rreziqet nga sulmet kibernetike të Iranit, duke kërkuar transparencë më të madhe nga qeveria për masat e marra.

Më pas kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ai argumentoi se zhvillimet e fundit, përfshirë ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe shpalljen e Gardës Revolucionare si organizatë terroriste, kërkojnë një analizë të thelluar institucionale.

“Çështjet kombëtare nuk janë eksluzivitet as i Ministrisë së Jashtme dhe as i Kryeministrit. Shqipëria ka një institucion i cili quhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili është pothuajse inekzistent prej kohësh dhe që ka detyrimin për të analizuar të gjitha problemet që kanë të bëjnë me kërcënimin e sigurisë kombëtare. Unë i kërkoj Presidentit të Republikës që të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë e cila nuk mund të kapërcehet vetëm me deklarime këtu në Kuvend dhe as me politizimin e kësaj çështjeje”, tha Mediu.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se nuk ka asnjë informacion zyrtar që Shqipëria të jetë objekt i mundshëm sulmesh duke kërkuar vazhdimin e seancës me rendin e ditës.

Në vijim të debatit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi qëndrimet e mazhorancës dhe kërkoi sqarime nga kryeministri Edi Rama, lidhur me vlerësimin e bërë ndaj paralajmërimit të ambasadës amerikane.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri njoftoi dje se grupet e lidhura me Iranin mund të synojnë subjekte amerikane ose elementë të opozitës iraniane në vend.

“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri”, njoftoi ambasada amerikane në vendin tonë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër