Prishtinë 15 prill, Zhurnal.mk – Një ish-anëtar i forcave policore të Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999 u arrestua të martën nga policia e Kosovés me dyshimin për krime lufte kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës dyvjeçare për pavarësi nga Serbia.
“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me datë 14.04.2026 në fshatin Soqanicë të Leposaviqit, shtetasi i dyshuar mashkull kosovar me kombësi serbe, u arrestua me dyshimin për kryerjen e Krimeve të Luftës kundër Popullatës Civile”, tha policia e Kosovës.
Sipas njoftimit për shtyp, “i dyshuari me gradë të lartë, bazuar në hetimet, dyshohet se ka qenë anëtar i MUP-it serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i organizuar në Stacionin e Policisë së Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëpunim me anëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak, ku kanë dëbuar me dhunë civilët nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë e 15 civilë shqiptarë, si dhe gjashtëmbëdhjetë e 16 civilë të tjerë janë zhdukur në dy lokacione në Skenderaj.”
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit dhe i është dhënë masa e paraburgimit prej 48 orësh.
Gati 13,000 civilë shqiptarë u masakruan nga forcat serbe, 20,000 vajza dhe gra u përdhunuan, 120,000 shtëpi u shkatërruan dhe më shumë se 800,000 u deportuan me forcë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë luftës dyvjeçare.
