Shkup, 17 prill, Zhurnal.mk – Vendimi për shkurtimin e specializimeve të mjekësisë nga 6 në 5 vjet është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një problemi real të mungesës së specialistëve dhe mbingarkesës së sistemit shëndetësor.
Por pyetja thelbësore që duhet të shtrohet pas kësaj mase është se a zgjidhet kriza vetëm duke prodhuar më shumë mjekë, apo duke prodhuar mjekë më të mirë? shkruan Zhurnal.mk.
Specializimet e mjekësisë nga 6 bëhen në 5 vjet
Shkurtimi i kohëzgjatjes së specializimeve, siç propozohet nga Ministria e Shëndetësisë synon të krijojë më shpejt kuadro të reja.
Në teori, kjo tingëllon e arsyeshme sistemi ka nevojë urgjente për internistë, kirurgë dhe specialistë të kujdesit intensiv. Por rreziku qëndron nëse kjo reformë reduktohet në një “prodhim të përshpejtuar diplomash”, pa garantuar përmbajtje të fortë praktike dhe standarde të larta profesionale.
“Nga ky vit fillojmë, derisa të gjithë studentët që janë në specializim deri në vitin e tretë mund të barten në programin e ri, në kurrikulën e re, derisa ata që janë mbi vitin e tretë të specializimit do të duhet ta kryejnë me programin e vjetër. Për kuadrot deficitare kemi ide të krijojmë ekipe që të mund të funksionojnë kardiologët dhe internistët, normalisht do të fillojmë me mobilitet deri në fazën që ne krijojmë kuadro të reja që do të punojnë me orar të plotë”, njoftoi Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dje në press konferencë.
Cilësi apo sasi ?!
Në këtë pikë, dilema “cilësi apo sasi” është në fakt një dilemë e pavend. Sistemi shëndetësor ka nevojë për të dyja por në mënyrë të balancuar dhe të menduar mirë.
Reforma përmban” elemente pozitive që shkojnë në drejtimin e duhur. Për shembull, theksi në trajnimin intensiv praktik, veçanërisht në urgjencë dhe kujdes intensiv, si dhe përfshirja e aftësive si përdorimi i ultratingullit për internistët, është një hap drejt rritjes së cilësisë. Kjo tregon një zhvendosje nga modeli teorik drejt një modeli më praktik dhe funksional.
Megjithatë, sfidat janë më të thella.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup ngre një shqetësim thelbësor ku mungesa e specialistëve nuk është vetëm problem i arsimimit, por edhe i punësimit dhe menaxhimit të vet sistemit shëndetësor.
Svetozar Antoviq ka vërejtje pse specialistët ridrejtohen në departamente të tjera.
“Zgjidhja e mos pasjes së kuadrove është realisht punësimi i të rinjve. Nuk e kam të qartë si është e mundur të mungojnë specialistë anesteziologë në cilindo spital, ndërsa drejtori t’i udhëzojë në Kirurgji ose t’i udhëzojë në Kardiologji. Kur dikush punësohet në institucion publik shëndetësor qëndron në dispozicion të vetëm atij spitali”, tha Svetozar Antoviq, dekan i Fakultetit të Mjekësisë Shkup, në press konferencen e djeshme.
Kjo është një simptomë e një sistemi që nuk vuan vetëm nga mungesa e kuadrove, por nga mungesa e planifikimit strategjik.
Nga ana tjetër, përvoja evropiane siç përmendet nga Oda e Mjekëve sugjeron një model ku organizimi i specializimeve është më i strukturuar dhe i lidhur ngushtë me nevojat reale të sistemit.
Kjo është një pikë kyçe reformimi i arsimit mjekësor nuk duhet të jetë i izoluar nga reformimi i vetë sistemit shëndetësor.
Si duhet menaxhuar ky vendim pa krijuar tollovi të reja?
Meqë specializimet shkurtohen, atëherë duhet më shumë praktikë klinike, mentorim më i fortë, vlerësim rigoroz dhe standarde të qarta kompetencash. Përndryshe, rrezikohet që të krijohet një brez mjekësh që janë më të shpejtë në diplomim, por më të pasigurt në praktikë.
Po aq e rëndësishme është edhe shpërndarja e kuadrove. Nëse specialistët vazhdojnë të përqendrohen në qendrat e mëdha, ndërsa qytetet e tjera mbeten të pambuluara, atëherë asnjë reformë arsimore nuk do të zgjidhë problemin e qasjes të pacientëve në shërbime cilësore.
Prandaj, çështja nuk është nëse duhet më shumë mjekë apo më mirë të trajnuar. Sistemi ka nevojë për mjekë të mjaftueshëm, por mbi të gjitha për mjekë kompetentë, të motivuar dhe të vendosur aty ku duhen më shumë.
Shkurtimi i viteve të specializimeve mund të jetë një hap i guximshëm por vetëm nëse shoqërohet me një angazhim po aq të fortë për cilësi.
Përndryshe, rrezikon të jetë një zgjidhje e shpejtë për një problem të thellë, me pasoja afatgjata për shëndetin publik. /Zhurnal.mk
