Editorial / Shteti që nuk arrin të mbrojë fëmijët nga varfëria krijon pasiguri afatgjate

Nga B.M
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 07 maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut edhe pas reformës së mbrojtjes sociale të vitit 2019, vazhdon të përballet me një realitet të hidhur, sepse një në tre fëmijë jeton në rrezik varfërie.

Ndërkohë që politikë-bërësit dhe përfaqësuesit e institucioneve flasin përditë për « suksese » me reforma për hyrje në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të SILC 2024, kjo normë varfërie ka mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë.

Ky fakt tregon se skemat aktuale të përfitimeve nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar koston e rritjes së fëmijëve dhe për të mbrojtur familjet nga rreziku i varfërisë, shkruan Zhurnal.mk

Raporti i UNICEF-it

Sipas të dhënave të UNICEF rreth 120.000 fëmijë në vend ende janë të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë – veçanërisht fëmijët nga familjet me shumë anëtarë, familjet rome dhe familjet me një prind.
Raporti i UNICEF-it nxjerr në pah pabarazitë e thella mes llojeve apo kategorive të familjeve, si dhe mungesën e politikave të duhura sociale për sa i përket shpërndarjes së buxhetit për fëmijët.

• Prindërit e vetëm – rreth 45% e tyre jetojnë nën pragun e varfërisë.
• Familjet me tre ose më shumë fëmijë – varfëria arrin deri në 55%.

Këto grupe kanë përjetuar vetëm përmirësime të kufizuara pas reformës së vitit 2019, duke treguar se rregullat e përfitimit, nivelet e ndihmës dhe mënyra e llogaritjes së përbërjes së familjes nuk pasqyrojnë realisht nevojat e fëmijëve.

UNICEF thekson se hapësirat apo boshllëqet strukturore në dizajnin e përfitimeve kërkojnë reforma më të ndjeshme ndaj fëmijëve, të përshtatura me madhësinë e familjes dhe dinamikën e varfërisë, dhe iu bënë thirrje institucioneve të vendit që të forcojnë politikat sociale, të zgjerojnë ndihmën për familjet në nevojë dhe të krijojnë mekanizma më efektivë për uljen e pabarazive sociale, veçanërisht te grupet më të ndjeshme.

Dimensioni rajonal

Ky problem nuk është vetëm i Maqedonisë së Veriut. Në Ballkanin Perëndimor fëmijët janë më të ekspozuar ndaj varfërisë sesa të rriturit, duke përjetuar privime materiale që lënë pasoja afatgjata në shëndet dhe potencial ekonomik.

Rajoni po kalon një “dimër demografik” thuhet në raport me norma të ulëta fertiliteti, plakje të popullsisë dhe emigrim të lartë.

Një kritikë e madhe strukturore është efekti i “pension crowd-out” ku mbi 70% e buxhetit social shkon për pensione, duke lënë shumë pak për ndihmën sociale të drejtpërdrejtë. Në disa vende kjo shifër arrin deri në 90%, ndërsa shpenzimet për ndihmën e fundit të mbijetesës janë minimale vetëm 0.3% e GDP-së në mesatare rajonale. Kjo tregon një shpërndarje të pabalancuar të burimeve, ku fëmijët mbeten të harruar.

Pasojat e mosveprimit

Fëmijët që rriten në varfëri kanë më pak gjasa të dalin nga ky cikël, dhe kjo për pasojë prodhon një trashëgimi gjeneratë pas gjenerate varfëri. Në këtë drejtim prindërit e vetëm dhe familjet e mëdha mbeten më të ekspozuar dhe kjo shpërfaq një pabarazi sociale.

Privimi financiar në fëmijëri ndikon në shëndet, arsim dhe rrjedhimisht edhe në produktivitet në moshë madhore që kjo pastaj ndikon edhe në dobësimin e potencialit ekonomik.

Prandaj, shteti apo një sistem që nuk arrin të mbrojë fëmijët krijon pasiguri afatgjate dhe nxit emigrimin e të rinjve. E që kjo më vonë do të shkaktojë krizën më të thellë e të pariparueshme kur do të paraqitet kriza për banorë, do të ngelen fshatrat e qytetet vende të pabanueshme.

Raporti i UNICEF-it është një thirrje e qartë se reformat e vitit 2019 nuk mjaftojnë

Nevojitet një qasje e re më e ndjeshme ndaj fëmijëve nga institucionet që të rrisin kujdesin për shpërndarjen e buxhetit, të heqen kufizimet për numrin e fëmijëve, të forcojë mbështetjen për familjet e mëdha dhe prindërit e vetëm, e të barazhpeshojnë buxhetin social mes pensioneve dhe ndihmës për fëmijët.

Pa u ndërmarrë këto masa konkrete në këtë drejtim nuk do të ketë përmirësim të mirëqenies sociale dhe të ardhmes së fëmijëve brenda vendit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër