Këshilltarja e ZNAM-it, Stevanoska largohet nga koalicioni qeverisës, do të veprojë si këshilltare e pavarur në Komunën e Prilep

Nga B.M
1,202 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 08 maj, Zhurnal.mk – Këshilltarja e ZNAM në Këshillin e Komunës së Prilep, Mirjana Stevanoska, njoftoi sot se po largohet nga koalicioni qeverisës dhe se në të ardhmen do të veprojë si këshilltare e pavarur në Këshillin e Komunës së Prilep, transmeton Zhurnal.mk.

Ajo deklaroi se vendimin e ka marrë duke u udhëhequr, siç tha, nga interesat e qytetarëve të Prilepit.

Stevanoska, e cila ishte bartëse e listës së këshilltarëve të ZNAM-it në zgjedhjet e fundit lokale, u tha këshilltarëve se besimi i marrë nga qytetarët përfaqëson një obligim që nuk duhet tradhtuar.

“Në periudhën e kaluar kam treguar se nuk pranoj politikë të heshtjes, votim të verbër dhe pranimin e heshtur të vendimeve të dakorduara paraprakisht. Këshilltari nuk duhet të jetë dekor në një teatër politik, por zë aktiv dhe parimor i qytetarëve”, deklaroi Stevanoska.

Ajo vlerësoi se Këshilli, në vend që të jetë hapësirë për debat të argumentuar, është shndërruar në një vend për konfirmimin formal të interesave politike të një partie të vetme.

Largimi i saj vjen një javë pas vendimit të Mile Cekov për t’u larguar nga grupi parlamentar i ZNAM-it dhe shumica parlamentare, duke paralajmëruar se do të veprojë si deputet i pavarur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër