Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai: Tirana zyrtare po mbron “kastën e vjetër kriminale” në Maqedoninë e Veriut

Nga Xh M
1,345 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 maj Zhurnal.mk – Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Tiranës zyrtare, duke e akuzuar se po ndërhyn në skenën politike të Maqedonisë së Veriut për të mbrojtur, siç thotë ajo, “kastën e vjetër të korruptuar dhe kriminalizuar”.

Në një postim publik, Imeri Stafai vlerëson se kurrë më parë në historinë e pluralizmit shqiptar, Tirana zyrtare nuk ka qenë më armiqësore ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut sesa sot.

Sipas saj, dikur Tirana ka qenë indiferente ndaj fatit politik dhe kombëtar të shqiptarëve në vend, madje edhe në periudha kur, siç shkruan ajo, shqiptarët janë përballur me arrestime, procese të montuara dhe padrejtësi të shumta.

“Sot po shohim një Tiranë agresive, përçarëse dhe hapur destruktive ndaj vullnetit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thekson deputetja.

Ajo shton se nuk ekziston asnjë argument apo dëshmi për shtypje të gjuhës, kulturës apo identitetit shqiptar në vend, duke pretenduar se ndërhyrja e Tiranës nuk bëhet për mbrojtjen e shqiptarëve, por për interesa politike dhe oligarkike.

Në reagimin e saj, deputetja e VLEN-it akuzon Tiranën zyrtare se po mbron figura politike të lidhura me projektin “Ballkani i Hapur”, për të cilat ajo pretendon se janë përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre dhe lidhje me krimin e organizuar.

Ajo përfundon duke e cilësuar si “tragjike” faktin që, sipas saj, Tirana zyrtare është shndërruar në “avokate të së vjetrës kriminale”, në vend që të qëndrojë pranë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër