Siljanovska-Davkova: Nuk ka bazë për spiunazh, dokumentet sekrete i shoh vetëm unë

Nga Xh M
261 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 maj Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova siguron se siguria është në nivelin më të lartë dhe se nuk ka bazë logjike për pretendime për spiunazh. Ajo thotë se të gjitha dokumentet që merr nga NATO, Agjencia për Siguri Kombëtare, Agjencia për Inteligjencë dhe Shtabi i Përgjithshëm janë në formë të shtypur dhe se askush tjetër përveç saj nuk i ka parë.

“Akuzat për spiunazh janë shumë serioze dhe mendoj se nuk ka bazë logjike për to. Do ta shpjegoj pse. Spiunazhi ka të bëjë me të dhëna të klasifikuara ose tepër konfidenciale. Nuk e di sa është e informuar opinioni publik, por në Kabinet nuk ekziston rrjet elektronik për të dhëna të klasifikuara, përkatësisht të dhëna me karakter konfidencial ose tepër konfidencial. Të gjitha dokumentet e tilla unë dhe vetëm unë i marr në formë të shtypur, pra në letër”, deklaroi Siljanovska për Sitel.

Ajo sqaroi se sipas protokollit, pasi i lexon dokumentet, i paketon dhe ia dorëzon një personi nga arkivi që posedon certifikatën më të lartë “sekret shtetëror”.

“Më së shpeshti ato kthehen te dërguesi ose ruhen në arkiv. Nëse komunikimi bëhet në këtë mënyrë, më shpjegoni me cilat të dhëna, edhe sikur dikush të hyjë në kompjuterin tuaj, mund të kryhet spiunazh? Pra, nuk ekziston bazë për këtë. Prandaj habitem kur shoh ekspertë të inteligjencës që diskutojnë se si kam qenë në rrezik apo se siguria ka qenë e rrezikuar për shkak të spiunazhit”, tha presidentja.

Ajo shtoi se sapo kishte marrë vesh për dyshimet e ngritura nga një prej të punësuarve për ndërhyrje në kompjuter, menjëherë kishte kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Jam e shokuar nga Prokuroria Publike. Ju thatë procedurë paraprake hetimore, jo procedurë gjyqësore. A vlen neni 289 i Ligjit për Procedurë Penale për Prokurorinë Publike? Të gjitha veprimet e ndërmarra gjatë procedurës paraprake nga prokurori publik ose policia janë sekret. Si është e mundur që Prokuroria Publike komunikon përmes mediave dhe tregon si dhe në çfarë mënyre kontakton me Ministrinë e Punëve të Brendshme?”, u shpreh Siljanovska-Davkova.

Ajo kritikoi edhe interpretimin e nenit 8 të Ligjit për Prokurorinë Publike.

“Dëgjoj një interpretim amatoresk të nenit 8 të Ligjit për Prokurorinë Publike, ku thuhet se Prokuroria, duke respektuar prezumimin e pafajësisë, jetën private, dinjitetin, lirinë e mediave, gjykimin e drejtë, integritetin dhe parimin e hapjes, informon opinionin për raste të caktuara. Por ne nuk kemi rast. Në procedurë paraprake nuk ka rast”, theksoi presidentja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër