Besimtarët myslimanë sot festojnë Kurban Bajramin

Nga B.M
751 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 maj, Zhurnal.mk – Besimtarët e fesë islame sot e festojnë Kurban Bajramin, festën e dytë më të madhe të myslimanëve pas Fitër Bajramit. Në ditën e parë të festës së Bajramit bëhet lutja e Bajramit – namazi i Bajramit, me çka besimtarët kërkojnë mëshirë nga Allahu.

Kurban Bajrami është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes. Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Fitër Bajramit konsiston në dy momente: e para, është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Karakteristikë e kësaj feste është edhe therrja e kurbanit, i cili ka simbolikën e afrimit ndaj Zotit. Zakonisht flijohen deshë ose viça. Zakonin e kryejnë kushdo që ka mundësi, dhe ata që therrin kurban, pastaj ua shpërndajnë mishin të varfërve, fqinjëve dhe të afërmve.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që flijohet në emër të Allahut të. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, Haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurban Bajrami zgjat tri ditë. Kjo festë kurorëzon Haxhin, i cili konsiderohet si shtylla e pestë i Islamit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër