Politikanët urojnë besimtarët për Kurban Bajram, thirrje për shoqëri më të bashkuar dhe solidare

Nga B.M
686 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 maj, Zhurnal.mk – Krerët shtetërorë dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në RMV-të kanë uruar festën e Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë ndërmjet qytetarëve.

Në urimet e tyre, përfaqësuesit më të lartë të shtetit theksuan rëndësinë e respektit të ndërsjellë, unitetit dhe mbështetjes sociale, duke bërë thirrje për ndërtimin e një shoqërie më të bashkuar dhe më solidare.

Ata vlerësuan se Kurban Bajrami përcjell vlera të humanizmit, sakrificës dhe mirëkuptimit, të cilat, sipas tyre, duhet të jenë udhërrëfyes në jetën e përditshme dhe në funksionimin e shoqërisë, përcjell Zhurnal.mk.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova

“Lejomëni që juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, imamëve dhe të gjithë besimtarëve të fesë islame, t’ju përcjell urime të sinqerta me rastin e festës së madhe Kurban Bajram, me dëshirë që ta kaloni në paqe, gëzim dhe mirëqenie familjare.
Pikërisht në aftësinë për të ruajtur dhe shprehur dashurinë dhe kujdesin për të afërmin, edhe në momente dallimesh dhe sfidash, njihet dhe matet integrimi i shoqërisë. Vetëm përmes mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë dhe kulturës së respektit, dallimet mund të jenë përparësi e jo dobësi, të bëhen urë e jo pengesë, të shndërrohen në unitet, duke i tejkaluar ndarjet. Gëzuar Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e presidentes me rastin e Kurban Bajramit.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi

“Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar bindjen se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal, ju uroj që kjo festë të sjellë mirëqenie, shëndet, paqe shpirtërore dhe lumturi në familjet tuaja. Gëzuar Kurban Bajramin!”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Kryeministri Hristijan Mickoski

“Të nderuar qytetarë të besimit islam, me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit ju përcjell urimet më të sinqerta për ju dhe familjet tuaja, me dëshira për shëndet të mirë, paqe, qetësi dhe begati në çdo shtëpi. Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, humanizmit, respektit të ndërsjellë dhe kujdesit për të afërmit. Në frymën e kësaj feste, le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit, unitetit dhe respektit, ku dallimet janë forca jonë dhe bashkimi e ardhmja jonë. Qofshin ditët e festës të mbushura me gëzim, ngrohtësi dhe shpresë, ndërsa çdo familje me dashuri, paqe dhe begati”, thuhet në urimin e Mickoskit.

Kryetari i LSDM-te, Venko Filipçe

“Ua uroj festën e madhe të Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të fesë islame.

Kurban Bajrami është simbol i njerëzisë, sakrificës dhe kujdesit për të gjithë. Kjo festë e madhe na kujton se vlerat e vërteta gjenden në solidaritet, dorën e shtrirë dhe gatishmërinë për të ndihmuar secilin.
Në frymën e festës, të tregojmë mirëkuptim, respekt dhe më shumë kujdes për njëri-tjetrin. Të mos harrojmë se fuqia e një shoqërie matet pikërisht me atë se sa jemi të bashkuar, humanë dhe të gatshëm që së bashku t’i tejkalojmë sfidat.
Uroj që ditët festive të sjellin paqe shpirtërore, shëndet, gëzim dhe mirëqenie në çdo familje.
Qoftë i uruar dhe i bekuar Kurban Bajrami”, thuhet në urimin e Venko Filipçes.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër