Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi sot në lidhje me operacionin e finalizuar në Durrës, “Cleaning 5”, për arrestimin e 17 personave të cilët dyshohet se shpërndanin drogë në afërsi të shkollave dhe në ambiente që frekuentoheshin nga të rinj.
Lamallari theksoi se siguria e shkollave dhe mbrojtja e të rinjve është një prioritet absolut dhe një betejë që nuk do ta ndalim në asnjë moment.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për 17 masat e ekzekutuara në Durrës dhe goditjen e një rrjeti kriminal që tentonte të shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave”, shkruan Lamallari.
Sipas ministrit me “projektin “Smart City”, fillimisht në shkollat e Tiranës e më pas në të gjithë vendin, do të ndryshojmë tërësisht faqen e sigurisë në shkolla dhe në hapësirat publike përreth tyre, duke përdorur avantazhet teknologjike, monitorimin inteligjent dhe reagimin në kohë reale për çdo ngjarje”.
