Shqiptarët flasin më pak në telefon/ AKEP: Po konsumojnë më shumë internet. Rritje me 22% në tremujorin e parë

Nga Xh M
307 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 maj Zhurnal.mk – Interneti po kthehet gjithnjë e më shumë në mënyrën kryesore të komunikimit për shqiptarët. Të dhënat më të fundit të AKEP për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një ndryshim të qartë të sjelljes së qytetarëve: më shumë përdorim interneti, më pak telefonata dhe shumë më pak SMS.

Vetëm në tre muajt e parë të vitit, shqiptarët konsumuan rreth 68 milionë gigabajt internet nga rrjetet celulare, një rritje me mbi 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është një nga rritjet më të forta të viteve të fundit dhe tregon se komunikimi po zhvendoset pothuajse plotësisht drejt platformave online si WhatsApp, Instagram, TikTok apo aplikacioneve të tjera të komunikimit.

Në anën tjetër, përdorimi tradicional i telefonit po bie gradualisht. Minutat e telefonatave kanë rënë me afro 6%, ndërsa SMS-të me mbi 11%. Praktikisht, qytetarët po flasin dhe shkruajnë më pak në mënyrën klasike dhe po përdorin më shumë internetin për video-thirrje, mesazhe apo komunikim në rrjetet sociale.

Kjo vihet re edhe tek konsumi mesatar mujor. Një përdorues celular në Shqipëri, përdor rreth 11 gigabajt internet në muaj, ndërsa dërgon mesatarisht vetëm 11 SMS. Ky është një tregues i qartë se SMS-ja po humbet rolin që kishte dikur.

Raporti tregon gjithashtu se në Shqipëri ka rreth 2 milionë përdorues aktivë të internetit celular dhe afro 2.4 milionë përdorues aktivë të telefonisë mobile. Ndërkohë, numri i kartave SIM aktive ka rënë me mbi 8% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo interpretohet si një tendencë ku qytetarët po mbajnë më pak numra telefoni, por po përdorin më intensivisht internetin në pajisjet që kanë.

Një tjetër zhvillim interesant, lidhet me mënyrën e pagesës së shërbimeve celulare. Edhe pse parapagimi mbetet dominues, diferenca me abonentët me kontratë është ngushtuar ndjeshëm. Kjo tregon se përdoruesit po kërkojnë më shumë paketa fikse me internet dhe shërbime të kombinuara, sidomos për përdorim të vazhdueshëm online.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër