Antonio Costa në Shqipëri, pamje nga takimi me presidentin Begaj

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur këtë të martë Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Zyra e Presidencës ka bërë me dije se gjatë këtij takimi u vlerësua progresi i spikatur i vendit tonë në procesin e negociatave, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.

Ndërkohë, presidenti Begaj i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën dhe objektivat me synim mbylljen e grupkapitujve të negociatave brenda vitit 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh kreu i Shtetit.

“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Begaj duke falënderuar Presidentin Costa për prioritizimin e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër