Bratisllavë, 2 qershor Zhurnal.mk – Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Sllovakisë, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zhvilloi sot në Bratislavë një takim me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe ministrin e Mbrojtjes, Robert Kaliňák.
“Zëvendëskryeministri rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme sllovake për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, vendi ynë ka qëndruar padrejtësisht për një kohë tepër të gjatë në pritje të anëtarësimit në BE. Procesi i zgjerimit, sipas tij, duhet të bazohet ekskluzivisht në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës”, njoftuan nga Kabineti i presidentes.
Kaliňák ndau përvojën e tij pozitive në bashkëpunimin me institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, duke shprehur gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në disa fusha, përfshirë edhe mbrojtjen.
Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësinë e saj për qëndrimin parimor të Sllovakisë lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se kërkesat dhe kushtëzimet me karakter identitar, të shoqëruara me veto, janë të paarsyeshme.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në prag të Samitit të ardhshëm të NATO-s në Ankara, ata diskutuan edhe për situatën e sigurisë në Evropë. Sipas tyre, forcimi i partneritetit brenda NATO-s mbetet faktor kyç për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe sigurisë evropiane.
