Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Në drejtimin e zëvendëskryetares së Kuvendit, Klodiana Spahiu, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Pika e parë dhe e dytë në rendin e ditës ishin shqyrtimi i Projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 15 qershor – 24 korrik 2026 dhe shqyrtimi i Projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 15 qershor-3 korrik 2026.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare. Pika e tretë në rendin e ditës ishte shqyrtimi i Raportit të monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2026, mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2025.
Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, bëri me dije gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve edhe propozimin e deputetëve të mazhorancës në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, për ngritjen e Nënkomisionit për integritetin e informacionit publik, dezinformimin dhe ndërhyrjeve të huaja, kërkesë e cila u paraqit nga kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën në fjalë.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa tha se në emër të grupit, ka dorëzuar një paketë ligjore, e cila lidhet me integrimin.
“Është shumë e rëndësishme që kjo paketë të kalojë me procedurë të përshpejtuar, sepse është në interes publik. Unë e di se ju nuk ju shqetëson interesi publik, por interesi juaj personal dhe ai i disa klientëve përreth jush. Megjithatë, thirrja ime është që ta kaloni menjëherë për shqyrtim atë paketë”, tha Zhupa.
Gjithashtu, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi u shpreh se “sot ka një realitet të ri dhe protesta në shesh po e tregon qartë këtë. Prandaj, ju sot këtu nuk mund të flisni për këtë çështje, sepse jeni pikërisht ju shkaktarët e kësaj situate. Ju duhet të jepni llogari jo për atë që ju kanë dhënë shqiptarët, por për atë që ju u keni grabitur shqiptarëve”.
Pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, reagoi edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se “bufi dhe zogjtë e tij duan të duken si flamingo”, ndërsa pretendon se përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se kanë sjellë në Kuvend propozimet e protestuesve.
Sipas Ballës, përfaqësuesit e opozitës po përpiqen të paraqiten si zëdhënës të protestuesve, ndërsa ironizon edhe pretendimet për angazhimin e tyre në kërkimin e mbështetjes ndërkombëtare për protestën.
“Pas mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, mund ta themi me plot gojën se bufi dhe zogjtë e tij duan të duken si flamingo. Zogjtë e bufit na thanë se kanë sjellë në Kuvend propozimet e protestuesve. Madje vetë bufi doli dhe tha se ka shkuar në Bosnjë (vende afër – se oqeanin s’e kalon dot) për të kërkuar mbështetje për protestën në mbrojtje të pelikanëve. Pra protesta paska caktuar bufin si “ambasador” për të kërkuar mbështetje. Pyetja që lind: ore po kush e ha bufin për flamingo?”, shkruan Balla.
