​KQZ tregon kur përfundon numërimi i votave nga diaspora

Nga D V
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 qershor, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta përmbyllë gjatë mesjavës procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për KosovaPress, sipas të cilit, pas përfundimit të këtij procesi do të nisë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.

Në fund, pas përmbylljes së të gjitha këtyre numërimeve, KQZ do të zhvillojë rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar më herët në Qendrat Komunale të Numërimit.

“Gjatë dy ditëve të fundjavës, janë numëruar 80 nga 223 kuti votimi ku janë sistemuar pakot e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për 36 përqind të këtyre kutive dhe sipas këtij progresi, synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës të përmbyllet në mesjavë. Në përgjithësi, nga 85 mijë e 790 pako të tërhequra nga 23 kutitë postare, në procesin e numërimit do të përfshihen 82 mijë e 809 pako të supozuara me fletëvotime. Vetëm pasi zarfi të hapet nga ekipet e numërimit, do të dihet me saktësi nëse brenda zarfeve është fletëvotimi dhe nëse është vlefshëm. Ndërkaq, në numërim nuk do të përfshihen 2 mijë e 981 zarfe, të cilat janë refuzuar, sepse nuk e kanë kaluar verifikimin, pasi shumica prej tyre nuk kishin dëftesën e regjistrimit, një dokument që secili votues i regjistruar e pranon nga KQZ dhe me të cilin dëshmohet se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar”, tha Elezi.

Sipas tij, derisa të përfundojë numërimi i këtyre fletëvotimeve, KQZ do të bëjë gati për numërim votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Derisa të përfundojë numërimi I fletëvotimeve nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3 mijë e 144 votues”, tha Elezi.

Me përfundimin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve, KQZ nuk do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Para përfundimit të procesit, KQZ do të vendosë për rinumërimin deri në 10 përqind të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar paraprakisht në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.

“Ky rinumërim do të bëhet në fund të numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë vendit dhe fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Vlerësojmë se ky mekanizëm ka për qëllim të shtojë kujdesin dhe besueshmërinë në rezultatet e zgjedhjeve”, tha Elezi.

KQZ ka ndërmarrë edhe masa tjera për më shumë siguri në procesin e numërimit të votave.

Në çdo tavolinë numërimi, e cila përbëhet nga 4 anëtarë, janë të vendosur nga dy monitorë, nga një sa ishte në zgjedhjet e kaluara. Kjo është bërë me qëllim që të gjithë të shohin në ekran numërimin e fletëvotimeve dhe evidentimin e rezultatit në sistem.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër