Në tri pika kufitare RMV-Bullgari protestohet të dielen, shkak tensionimi i fundit

Nga D. V.
919 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Të dielën pritet të ketë bllokime të përkohshme në disa pika kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pasi organizata bullgare “Maqedonia” ka paralajmëruar një aksion protestues që do të zgjasë rreth dy orë, raportojnë mediat bullgare.

Sipas njoftimeve, protestat do të zhvillohen në pikat kufitare Deve Bair, Dellçevë dhe Novo Sellë. Organizatorët pretendojnë se për mbajtjen e tyre kanë siguruar lejen e nevojshme nga Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë.

Ky paralajmërim vjen vetëm një ditë pas incidentit të ndodhur pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, ku u dogjën dy automjete me targa diplomatike. I dyshuari për rastin u identifikua dhe u arrestua menjëherë, ndërsa ngjarja u dënua si nga autoritetet maqedonase ashtu edhe nga ato bullgare.

Në thirrjen për protestë, organizata thekson se aksioni synon t’i dërgojë një mesazh Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
“Qëllimi ynë është të tregojmë se nuk mund të vazhdohet me presione dhe represion. Nuk synojmë të pengojmë qytetarët në lëvizjen e lirë, prandaj bllokada do të zgjasë vetëm dy orë dhe jo më gjatë”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër