Kush është Andy Burnham? Ligjvënësi britanik që synon postin e kryeministrit

Nga D. V.
807 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 19 qershor, Zhurnal.mk – Andy Burnham nuk është një emër i panjohur, në garat për lidershipin e Partisë Laburiste. Mbi një dekadë më parë, ai kandidoi dy herë për drejtimin e partisë, që rezultoi pa sukses, shkruan BBC.

Sot, ai mbështetet nga një numër i madh deputetësh laburistë, si një nga figurat që mund të ndihmojë në rimëkëmbjen e partisë, e cila ka kaluar muaj të vështirë në sondazhe dhe rezultate zhgënjyese zgjedhore në muajin maj.

Fitorja e Burnham në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, i mundësoi atij të ruante një vend në Parlament për Laburistët, duke mposhtur partinë “Reform UK”, e cila doli e dyta me mbi 9,000 vota diferencë.

Kjo fitore e rriti edhe më tej përqindjen e votës së Laburistëve në zonë, nga 45% në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 në gati 55%.

Përtej shifrave, kjo fitore i hapi rrugën Burnham, për një rikthim të mundshëm në garat e lidershipit, pasi çdo kandidat duhet të jetë deputet në Parlament.

Para ditës së votimit, ai deklaroi se do të hynte në çdo garë të mundshme për lidershipin e partisë, nëse fitonte në Makerfield dhe nëse do të sfidonte kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Fëmijëria: Tifoz i Everton dhe adhurues i muzikës indie

I lindur në Liverpul në vitin 1970, Burnham u rrit në Culcheth, një fshat i qetë pranë Warrington-it në Cheshire.

Babai i tij, inxhinier në kompaninë britanike shumëkombëshe të telekomunikacionit – BT – dhe nëna, recepsioniste mjekësore, ishin të dy mbështetës të fortë të Laburistëve, duke ndikuar në formimin e tij politik.

Ai është shprehur se u frymëzua për t’iu bashkuar Partisë Laburiste në moshën 14-vjeçare, pas ndikimit të dramës televizive të BBC-së “Boys from the Blackstuff”, që trajtonte jetën e papunësisë në Liverpul.

Tifoz i përjetshëm i Everton, Burnham kujtohet nga shokët si një fëmijë garues dhe sportdashës, si dhe një lojtar i kriket për ekipin shkollor të Lancashire-it.

Në shkollë, ai mori pjesë në zgjedhje të simuluara si, kandidat i Laburistëve dhe fitoi me diferenncë të madhe.

Burnham dhe dy vëllezërit e tij ishin të parët në familje që ndoqën universitetin, ku ai studioi anglisht në Kembrixh.

Në librin e tij “Head North”, ai ka pranuar se në universitet ndihej si “i huaj”.

Megjithatë, dashuria për muzikën – veçanërisht grupet indie të veriut si “The Smiths” dhe “The Stone Roses” – i dha atij një identitet të ri kulturor.

Nga deputet në kryetar bashkie në Mançesterin e Madh

Pas diplomimit, Burnham filloi karrierën si gazetar në revista të specializuara, përpara se të hynte në politikë si, studiues për deputeten Tessa Jowell.

Më vonë, ai u ngjit shpejt në hierarki politike, duke u bërë këshilltar i ministrit të Kulturës dhe më pas deputet për Leigh, në vitin 2001.

Ai shërbeu në disa poste ministrore gjatë qeverive të Tony Blair dhe Gordon Brown, përfshirë ate të Shëndetësisë dhe Kulturës.

Gjatë mandatit si ministër i Kulturës, ai u përball me kritika të forta, në një përkujtimore për tragjedinë e Hillsborough-it, ku 97 tifozë të Liverpulit humbën jetën në 1989.

Ky episod e shtyu atë, të kërkonte një hetim të ri mbi ngjarjen, që çoi më vonë në rihapjen e çështjes.

Në vitin 2010 kandidoi për lidershipin e Laburistëve, duke dalë i katërti, dhe u përpoq sërish në 2015, ku u mund nga Jeremy Corbyn.

Kritikët e kanë akuzuar shpesh, si një figurë politike fleksibile që ndryshon qëndrime sipas rrethanave.

Ai ka mbështetur qëndrimin pro BE-së gjatë referendumit të Brexit-it dhe ka lënë të hapur idenë e ribashkimit në të ardhmen, ndonëse nuk e ka bërë prioritet politik.

Brenda partisë, ai ka lëvizur nga qendra drejt së majtës, duke mbështetur nacionalizimin e ujit dhe energjisë.

Kryetar bashkie i Mançesterit të Madh dhe figurë kombëtare

Në vitin 2017 ai la Parlamentin, për t’u bërë kryetari bashkie i Mançesterit të Madh, post që e fitoi me mbi 60% të votave dhe u rizgjodh më vonë me një diferencë edhe më të madhe.

Si kryetar bashkie, ai ka marrë vlerësime për reformimin e transportit publik përmes projektit “Bee Network”, duke rikthyer kontrollin publik mbi autobusët.

Gjatë pandemisë COVID-19, ai u bë figurë kombëtare, pasi kritikoi qeverinë konservatore për trajtimin e veriut të Anglisë, duke fituar nofkën “Mbreti i Veriut”.

Në vitin 2025, Burnham shfaqi ambicie për të garuar për lidershipin, por u përball me pengesa politike brenda partisë.

Megjithatë, pas rezultateve të dobëta zgjedhore të Laburistëve, në maj dhe rritjes së mbështetjes për “Reform UK”, presioni mbi kryeministrin Starmer u rrit.

Pas dorëheqjes së deputetit Josh Simons, u hap rruga për zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, ku Burnham u rikthye në Parlament si kandidat dhe më pas si fitues, duke konsoliduar pozicionin e tij politik në Westminster.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër