Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Mickoski para dy ditësh deklaroi se deri tek ai kanë mbërritur vërejtje për mungesën e qasjes së një pjese të ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Në lidhje me procesin e paralajmëruar për rikonstruksionin e Qeverisë, gjatë ditës së sotme dhe të nesërme janë parashikuar takime me partitë politike ZNAM dhe Vlen, informojnë nga Qeveria.
Megjithatë, nga aty theksojnë se bisedimet për momentin janë në fazë të hershme dhe paraqesin një proces të ndjeshëm që kërkon qasje serioze dhe të përgjegjshme, prandaj nuk publikohen detaje shtesë për kuadrot. Shtojnë se opinioni do të informohet plotësisht sapo të arrihen marrëveshjet konkrete dhe zgjidhjet finale.
Udhërrëfyesi kryesor për ndryshimet e ardhshme, shtojnë nga Qeveria, janë parimet dhe mesazhet publike që kryeministri Hristijan Mickoski i dha gjatë shënimit të 36-vjetorit të VMRO-DPMNE në Strumicë.
Ai atëherë theksoi se me kujdes i ndjek gjendjet në institucione dhe se nuk është i kënaqur me sjelljen e një pjese të kuadrove. Mickoski tha se deri tek ai mbërrijnë vërejtje për mungesën e qasjes së një pjese të ministrave dhe drejtorëve, si dhe për largimin e tyre nga problemet dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai porositi se të gjitha devijimet i shënon me kujdes, se do të ketë ndryshime dhe se nuk do të tolerojë zhytje në privilegjet që i ofron pushteti.
Mickoski gjithashtu theksoi se Qeveria është zgjedhur për t’i shërbyer popullit, e jo për të shijuar privilegjet e pushtetit, duke shtuar se çdo funksionar duhet të jetë i qasshëm, i përkushtuar dhe vazhdimisht i pranishëm mes qytetarëve.
Ai tha se nuk do të tolerojë neglizhencë, papërgjegjësi dhe devijim nga parimet mbi të cilat bazohet puna e Qeverisë, pa marrë parasysh funksionin që dikush ushtron.
Kryeministri gjithashtu porositi se nuk pranon arsyetime për mosrealizimin e obligimeve dhe se mendon që kushdo që nuk mund t’u përgjigjet sfidave duhet me ndershmëri ta rishqyrtojë vendin e tij në ekip.
“Gjitha devijimet i shënoj me kujdes dhe do të ketë ndryshime. Ato ndryshime duhet t’i përmirësojnë kapacitetet dhe të nxjerrin maksimumin nga çdo individ. Dua secili prej jush të mbetet i përkushtuar ndaj popullit, i qasshëm dhe i ndershëm”, ishte mesazhi i Mickoskit.
