Tiranë, 9 korrik Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama se po përdor fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për financimin e koncertit të artistit Kanye West, duke e cilësuar këtë një veprim të papërgjegjshëm.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se 4 milionë euro janë marrë nga fondi i emergjencës për organizimin e koncertit.
“Për 4 milionë euro, të marra nga fondi i emergjencës të një vendi me potenciale të mëdha zjarri, për një këngëtar, kjo përbën në mënyrë absolute një nga aktet më të rënda, më të papërgjegjshme. Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave përdoret vetëm në emergjenca kombëtare”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së kujtoi gjithashtu financimin e dhënë nga qeveria për organizimin e etapës së garës Giro d’Italia në Shqipëri, duke pretenduar se edhe ai investim kishte qëllime elektorale.
“Më 10 dhe 11 maj të vitit 2025, ai i dha Giro d’Italia 7 milionë euro, para të taksapaguesve shqiptarë për të grabitur votat e qytetarëve, për të gënjyer e mashtruar qytetarët për vota”, tha Berisha.
Tani, theksoi Berisha, “përpiqet të sfumojë sentimentet armiqësore me koncertin e një këngëtari shumë të njohur, por që ka edhe ai problematikat e tij në deklarime dhe në vlerësime”.
Kreu i PD theksoi se, nuk është kundër zhvillimit të koncertit, por kundërshton, sipas tij, përdorimin e fondeve publike për këtë qëllim.
“Nuk kam asgjë kundër koncertit të tij, por nuk pranoj kurrë që ai të bëhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, tha Berisha.
“Ky është një akt që e bën vetëm një njeri që është i aftë për të shpëtuar lëkurën e tij të marrë çdo vendim”, deklaroi Berisha.
Berisha ngriti gjithashtu pretendime se administrata publike dhe institucionet arsimore janë përfshirë në organizimin e pjesëmarrjes në koncert.
Sipas Berishës, Kryeministri synon të përmirësojë imazhin e tij përmes këtij eventi.
“Ju informoj se të gjitha ministritë dhe shkollat kanë bërë listat për të dërguar punonjësit dhe nxënësit në koncert, mbasi biletat nuk janë shitur. Pra, përveç 4 milionëve do të jenë dhe disa milionë të tjera, se punonjësve do u mbahen në rroga ato bileta”, tha Berisha.
