Lutfi Haziri largohet nga mbledhja e LDK-së: Po analizohet rezultati zgjedhor dhe kërkesat për koalicion

Nga D V
1,158 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 korrik Zhurnal.mk –  Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është larguar përkohësisht nga mbledhja e Kryesisë së partisë, duke bërë të ditur se do të marrë pjesë në ceremoninë për dhënien e nderimeve të fundit për një personalitet akademik nga Gjilani.

Para largimit, Haziri foli për mediat lidhur me temat që po diskutohen në mbledhjen e LDK-së, duke theksuar se fokusi është në dy çështje të brendshme thelbësore.

Sipas tij, LDK-ja po zhvillon një debat të brendshëm për analizimin e rezultatit të fundit zgjedhor, pas takimit të Kolegjiumit të Degëve, si dhe po shqyrton kërkesat që lidhen me interesimin për bashkëpunim politik.

“LDK-ja po diskuton dy çështje thelbësore: analizën e rezultatit të fundit zgjedhor dhe kërkesat që lidhen me interesimin për bashkëpunim. Si vlerë politike kemi treguar pragmatizëm dhe po diskutojmë parimet e bashkëpunimit në kuadër të ndërtimit të institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit”, deklaroi Haziri.

Ai theksoi se, sipas vlerësimit të tij, nuk ka as vend, as hapësirë dhe as arsye për të menduar për zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtën e ardhshme.

Haziri bëri të ditur gjithashtu se ftesa për bashkëpunim është trajtuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me ekipin e tij, dhe është diskutuar brenda strukturave të partisë.

“Në fund, zoti Abdixhiku personalisht ose dikush nga ekipi i tij do të dalë dhe do t’i japë sqarimet e nevojshme”, u shpreh Haziri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër