Radman: Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë e Evropës

Nga Xh M
1,853 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Zagreb, 10 korrik Zhurnal.mk – Ministri kroat për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gordan Grliq Radman, sot mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të rajonit, duke deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor është një investim strategjik në sigurinë e gjithë Evropës.

Grliq Radman theksoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate, me kushte të rrepta, por të drejta, ndërsa anëtarësimi i plotë duhet të mbetet qëllimi përfundimtar i këtij procesi. Ai shtoi se vendet kandidate mund të llogarisin në mbështetje të fuqishme politike, profesionale dhe teknike nga Kroacia në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.

“E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë Evropës. Me reforma vendimtare, bashkëpunim rajonal dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore, anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është një qëllim i arritshëm”, tha Grliq Radman.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e lidhjes më të fortë të rajonit me Bashkimin Evropian në fushën e transportit, energjisë dhe digjitalizimit, duke vlerësuar se zgjerimi i Rrjetit Trans-Evropian të Transportit (TEN-T) drejt Ballkanit Perëndimor duhet të shndërrohet në projekte konkrete infrastrukturore, përfshirë zhvillimin e korridorit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe korridorit të transportit Adriatik-Jon.

Duke folur për sigurinë energjetike, Grliq Radman theksoi rëndësinë e rrugëve të sigurta dhe të diversifikuara të furnizimit me energji, duke përmendur investimet e Kroacisë në infrastrukturën kryesore energjetike, përfshirë terminalin për gaz natyror të lëngshëm (LNG) në ishullin Krk, i cili luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Ai gjithashtu përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes për zbatimin e projektit të ndërlidhjes së gazit jugor mes Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke vlerësuar se ky projekt do të kontribuojë në sigurinë energjetike rajonale dhe në uljen e varësisë nga një burim i vetëm furnizimi.

Grliq Radman deklaroi se harmonizimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane dhe me acquis communautaire të Bashkimit Evropian është kusht për një integrim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.

“Kroacia do të vazhdojë të ndajë përvojat e saj nga procesi i anëtarësimit, të ofrojë ndihmë teknike të orientuar dhe të forcojë kapacitetet institucionale, në mënyrë që obligimet reformuese të shndërrohen në rezultate konkrete”, tha Grliq Radman, transmeton “Hina”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër