MIT: Komuna e Ferizajt të ndërmarrë masa urgjente për normalizimin e trafikut

Nga D. V.
849 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka deklaruar se projekti i rrugës nga ura në qytetin e Ferizajt deri te hyrja e autostradës është realizuar nga Komuna e Ferizajt, ndërsa ministria ka financuar projektin.

Sipas njoftimit, Komuna e Ferizajt ka hartuar projektin, ka zhvilluar procedurat e prokurimit dhe ka mbikëqyrur realizimin e punimeve, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka siguruar mjetet financiare për zbatimin e tij.

Ministria thekson se në projektin e hartuar nga komuna nuk kanë qenë të parapara ndërtimi i rrethrrotullimit në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës.

Sipas ministrisë, ministri ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Komunës së Ferizajt, ku ka kërkuar sqarime lidhur me projektin, si dhe gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme deri në realizimin e riprojektimit nga ministria.

“Në projektin e hartuar nga Komuna nuk kanë qenë të parapara rrethrrotullimi në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Komuna ka propozuar vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, i cili, sipas saj, ishte testuar paraprakisht edhe përmes simulimit.

“Megjithatë, gjendja në terren po tregon se kjo zgjidhje nuk po funksionon siç ishte paraparë dhe po shkakton kolona të gjata”, thuhet më tej.

Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Ferizajt që, si institucion mbikëqyrës i projektit, të analizojë me urgjencë situatën dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për normalizimin e qarkullimit.

“Duke qenë se Komuna e ka në mbikëqyrje këtë projekt, i bëjmë thirrje që ta analizojë urgjentisht situatën dhe t’i ndërmarrë masat e nevojshme për lirimin dhe normalizimin e trafikut”, thuhet në reagim.

Në fund, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se do të marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti rrugor.

“Ministria do ta marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti dhe, përmes tij, do t’i adresojë të gjitha problemet dhe mangësitë e evidentuara”, përfundon njoftimi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër