Tiranë, 21 korrik, Zhurnal.mk – Kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO do të nisë në muajin shtator procesin e prodhimit të dronëve në Shqipëri.
Lajmin e bëri të ditur administratori i kompanisë KAYO, Ardi Veliu, gjatë një konference për mediat, ku u shpreh se prodhimi në fushën ushtarake është një proces kompleks që kërkon përmbushjen e standardeve të larta të sigurisë dhe licencimit.
“Procesi i prodhimit në fushën ushtarake është një proces i komplikuar, jo vetëm sepse produkti duhet të jetë i licencuar, por edhe mjedisi ku prodhohet duhet të jetë i licencuar”, deklaroi Veliu.
Ai bëri të ditur se ambientet e fabrikës së prodhimit janë përfunduar në partneritet me kompanitë bashkëpunuese, ndërsa aktualisht po vijon faza e trajnimit të personelit që do të angazhohet në këtë strukturë.
“Ambientet kanë përfunduar në partneritet me partnerët tanë. Kemi bërë thirrjen për të gjithë ata që donin të bëheshin pjesë e kësaj fabrike dhe tani jemi në fazën e trajnimit të personelit që do të punësohet aty”, tha Veliu.
Sipas tij, procesi i rekrutimit ka përfshirë të gjithë personat e interesuar për t’u bërë pjesë e fabrikës, ndërsa puna aktualisht është përqendruar në përgatitjen profesionale dhe trajnimin e stafit.
Administratori i KAYO u ndal edhe te ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në ecurinë e projektit, duke theksuar se konflikti në Lindjen e Mesme ka sjellë vonesa në furnizimin me lëndë të para.
“Konflikti në Lindjen e Mesme na ka vonuar sjelljen e lëndëve të para, por besoj që në fillim të shtatorit ne do të fillojmë procesin ku do të prodhohen dronët”, u shpreh Veliu.
Ai foli gjithashtu për shkollën e fluturimit, e cila është pjesë e bashkëpunimit të lidhur me kompaninë KAYO dhe shoqërinë Elbit, duke e cilësuar atë një qendër që do të rrisë kapacitetet e Shqipërisë në fushën e aviacionit.
“Shkolla e fluturimit është një kontratë e lidhur me KAYO dhe me shoqërinë Elbit. Ajo që ne po marrim nga ky partneritet është eksperienca në fushën e pilotimit përmes shkollës së aviacionit. Trajnimi i tyre do të bëhet në Shqipëri”, tha Veliu.
Sipas tij, shkolla do të funksionojë me kurrikula të hartuara sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe pilotët që do të diplomohen aty do të kenë nivel të krahasueshëm me standardet e diplomave të huaja.
“Kjo është një qendër unike dhe hapja e saj shton kapacitetet tona. Shkolla do të ketë të gjitha kurrikulat sipas standardeve më të mira dhe pilotët që do të diplomohen aty do të jenë me standardet e diplomave të huaja”, theksoi ai.
