Ali Ahmeti takon ambasadorin austriak Martin Pammer: Integrimi në BE nuk ka alternativë

Nga Xh M
1,243 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 22 korrik Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur në takim Ambasadorin e Austrisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Martin Pammer, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend dhe perspektivën evropiane të shtetit.

Sipas Ahmetit, gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e hapur dhe e frytshme mbi sfidat me të cilat përballet vendi dhe përgjegjësinë e institucioneve në procesin e integrimit evropian.

Ai ka ritheksuar se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet orientimi strategjik i vendit dhe se nuk ekziston alternativë tjetër.

Ahmeti ka theksuar se avancimi i procesit eurointegrues kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve mbi parimet e barazisë dhe demokracisë, si dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit në BE.

Në të njëjtën kohë, ai ka vlerësuar se marrëdhëniet e mira ndëretnike, politika e fqinjësisë së mirë dhe zhvillimi i një ekonomie që garanton mirëqenie për qytetarët përbëjnë shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut.

“Vetëm duke ruajtur këto vlera, Maqedonia e Veriut mund të ecë përpara me siguri, stabilitet dhe dinjitet”, ka theksuar Ahmeti pas takimit me ambasadorin austriak.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër