Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot zhvilloi takim me Fernando Mariano Sampedro Marcos, sekretar shtetëror për BE‑në në Ministrinë e Punëve të Jashtme, BE‑në dhe Bashkëpunimin e Spanjës.
Sipas njoftimit të MPJ‑së, në fokus të bisedimeve ishte integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme dhe parimore të Spanjës për perspektivën evropiane të vendit, si dhe për angazhimin e saj që zgjerimi të mbetet ndër prioritetet strategjike të Unionit.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit me Spanjën në diskutimet e ardhshme për të ardhmen e politikës së zgjerimit:
“Procesi i anëtarësimit duhet të mbetet kredibil, i parashikueshëm, i barabartë për të gjithë dhe i bazuar në meritë, me një qëllim të qartë anëtarësimin e plotë në BE, paralelisht me avancimin e formave praktike të integrimit gradual.”
Mucunski e informoi bashkëbiseduesin për rezultatet e zbatimit të Agjendës Reformuese dhe përkushtimin e Qeverisë ndaj zbatimit të vlerave dhe standardeve evropiane në nivel kombëtar.
Të dy palët konfirmuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në kuadër të proceseve evropiane, si dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së kredibilitetit të politikës së zgjerimit dhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendit.
