Stamenkoska Trajkoska: Korrupsioni nuk është vetëm sfidë e izoluar por pengesë serioze për përparimin ekonomik

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryetarja e Komunës së Kisella Vodës, Beti Stamenkoska Trajkoska sot ishte pjesë e dialogut publik-privat që i bashkoi përfaqësuesit e institucioneve, komunitetin e biznesit dhe të rinjtë nga Komuna e Kisella Vodës.

Ngjarja u realizua si pjesë e projektit për mobilizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si liderë kundër korrupsionit, organizator dhe kofinancues i të cilit është Fondacioni Konrad Adenauer, së bashku me Bashkimin Evropian.

Diskutimi i hapur dhe shkëmbimi i përvojave, qëndrimeve dhe propozimeve mes pjesëmarrësve duhet të kontribuojë në formulimin e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e politikave lokale dhe avancimin e mekanizmave antikorrupsion.

Në fokusin e dialogut sot ishin sfidat kyçe me të cilat përballen kompanitë në nivel lokal, me vëmendje të veçantë te transparenca, prokurimet publike dhe procedurat administrative që ndikojnë drejtpërdrejt në mjedisin afarist. Shtesë u vendos theksi edhe te roli i institucioneve lokale, si dhe rëndësia e përfshirjes së grave sipërmarrëse dhe të rinjve në ndërtimin e një klime të drejtë biznesi.

Para afaristëve dhe të rinjve të pranishëm nga komuna Kisella Vodë, përveç kryetares Stamenkoska Trajkoska, fjalime mbajtën edhe kryetarja e Shoqatës së grave të biznesit, Valentina Disoska, si dhe përfaqësuesi i Fondacionit Konrad Adenauer, Aleksandar Cekov. Ata e theksuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit të përbashkët për tejkalimin e rreziqeve të korrupsionit.

Kryetarja Stamenkoska Trajkoska në fjalimin e saj e potencoi përcaktimin e fortë të Komunës për krijimin e një mjedisi stimulues biznesi përmes sundimit të ligjit, duke e lidhur përparimin ekonomik me qëllimin më të rëndësishëm – të ardhmen e të rinjve:

“Korrupsioni nuk është vetëm sfidë e izoluar, ai është pengesë serioze për përparimin ekonomik, e dëmton konkurrencën e ndershme dhe e rrënon besimin e qytetarëve. Përgjigjja ndaj kësaj sfide qëndron në punë ligjore pa kompromis dhe transparencë absolute. Këto dy parime janë mjetet më të forta për shtypjen e korrupsionit dhe ato janë themeli i punës sonë si vetëqeverisje lokale. Për ne është me rëndësi thelbësore kërkesat dhe nevojat tuaja t’i dëgjojmë drejtpërdrejt, në vetë të parë dhe pikërisht për këtë qëllim në Komunë është formuar dhe tashmë funksionon aktivisht Këshilli i afaristëve. Çdo hap ynë drejt forcimit të sektorit afarist mbi bazë të transparencës dhe integritetit çon drejt një qëllimi më të rëndësishëm – mbajtjes së të rinjve në Maqedoni. Komunitet i fortë biznesi do të thotë mundësi reale për përparim në karrierë, stabilitet financiar dhe motiv kryesor për të rinjtë që ta ndërtojnë jetën e tyre këtu, në vendin e tyre”, theksoi kryetarja e komunës Kisella Vodë, Beti Stamenkoska Trajkoska.

Në fund të ngjarjes u theksua se përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të kenë mundësi të marrin pjesë në trajnim falas, përmes të cilit do të mund të fitojnë certifikatën “Biznes me integritet”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër