RENEA arreston të shumëkërkuarin Ylli Zalla në Krujë, i shmangej drejtësisë prej vitit 2025

Nga D. V.
718 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Brendshme ka bërë të ditur këtë të hënë se është arrestuar në Krujë i shumëkërkuari Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë prej viti 2025 dhe konsiderohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas njoftimit, kapja e tij u realizua gjatë operacionit të koduar “Fundi i Arratisë”, i zhvilluar nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat e DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Lidhur me aksionin ka reaguar edhe vetë Ministri i Brendshëm, i cili ka përgëzuar strukturat e Policisë së Shtetit për profesionalizmin e treguar në terren. Ai ka theksuar se finalizimi me sukses i këtij operacioni tregon angazhimin e pandërprerë të policisë për vendosjen para drejtësisë të çdo personi të kërkuar që i shmanget ligjit.

“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.

Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Ylli Zalla nuk është një emër i panjohur për autoritetet. Në të kaluarën, ai është arrestuar dhe hetuar për çështje të lidhura me armët dhe prodhimin e “bombave artizanale”.

Më herët, autoritetet kanë sekuestruar një arsenal armësh në banesën e tij në Fushë-Krujë. Po në kuadër të hetimeve për një atentat mafioz në Rinas, Zalla është përmendur nga autoritetet për lidhje me personat e dyshuar për ngjarjen. Sipas hetimeve të asaj kohe, nga banesa e tij dyshohej se kishte dalë edhe automjeti i përdorur nga autorët e atentatit, ndërsa Zalla dyshohej se i kishte ndihmuar për sigurimin e armëve.

Zalla ka rënë në pranga edhe në vitin 2014, në një operacion ku u raportua për prodhim të bombave artizanale. /euronews/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër