Nju Jork, 1 shtator, Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë dhe e dhunshme ndodhi dje pasdite në “Times Square”, në zemër të Nju Jorkut, ku një grua e armatosur me dy thika sulmoi rastësisht dy persona, raportoi “CBS News”.
Njëra prej viktimave humbi jetën, ndërsa autorja e dyshuar u qëllua për vdekje nga policia.
Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), ngjarja ndodhi rreth orës 16:24–16:30, pranë kryqëzimit të rrugëve “Seventh Avenue” dhe “West 43rd Street”.
Autorja e dyshuar, e identifikuar si Pamela Cisneros, 49 vjeçe, nga Queens, dyshohet se fillimisht sulmoi me thikë një burrë 68-vjeçar, i cili sapo kishte dalë nga metroja.
Vetëm pak sekonda më vonë, ajo sulmoi një grua 32-vjeçare. Sulmet, sipas policisë, ishin të rastësishme dhe të paprovokuara.
Gruaja 32-vjeçare u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Burri i plagosur ndodhet në spital dhe raportohet në gjendje të stabilizuar.
Policia ndërhyri menjëherë dhe i kërkoi gruas të hidhte thikat.
Sipas autoriteteve, oficerët u përpoqën për disa minuta ta bindnin të dorëzohej dhe përdorën edhe “Taser”, por pa sukses.
Kur ajo vazhdoi të afrohej drejt policëve me dy thikat në duar, dy efektivë hapën zjarr.
Cisneros u dërgua në spital, ku më vonë u konfirmua vdekja e saj.
Policia ka deklaruar paraprakisht se nuk ka shenja që sulmi të ketë lidhje me terrorizmin.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur motivin e sulmit.
