BDI: Pas më shumë se dy vitesh, Afrim Gashi pranon se VLEN-i nuk ka legjitimitetin e shqiptarëve

Nga R.ZH
1,205 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 korrik, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, lidhur me sigurimin e shumicës parlamentare për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

Sipas BDI-së, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, Gashi ka pranuar publikisht atë që kjo parti, siç thotë, e ka theksuar që nga fillimi – se koalicioni VLEN nuk ka mbështetjen e mjaftueshme politike dhe etnike për të garantuar të drejtat e shqiptarëve.

Në emisionin „Click Plus“ në TV21, Gashi ka deklaruar se „nuk e dimë, nuk jemi të sigurt“ nëse Qeveria i ka votat e nevojshme në Kuvend për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

BDI-ja e cilëson këtë si një „pranim serioz politik“, duke pretenduar se VLEN-i, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, nuk është faktor vendimmarrës, por mbështetës i VMRO-DPMNE-së.

„Për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët, ata nuk vendosin dhe nuk kanë as guximin, as fuqinë politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme“, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, VLEN-i erdhi në pushtet me premtimin se do ta zgjidhte çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. BDI-ja vlerëson se deklarata e Gashit tregon se edhe pas dy vitesh në pushtet nuk është e qartë nëse Qeveria i ka votat e nevojshme për miratimin e këtij ligji.

„Atëherë shtrohet pyetja: Cili është roli i VLEN-it në këtë Qeveri?“, pyet BDI-ja.

Në reagim, partia akuzon VLEN-in se, kur bëhet fjalë për interesat politike të shqiptarëve, hesht, ndërsa kur duhet të kërkojë garanci për shqiptarët tërhiqet. BDI-ja pretendon gjithashtu se VLEN-i nuk arrin të sigurojë mbështetjen parlamentare për një ligj që e konsideron të rëndësishëm.

BDI-ja rikujton se, sipas saj, ka paralajmëruar më herët se pa një legjitimitet të fuqishëm politik shqiptar dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë, VLEN-i nuk mund të imponojë një agjendë politike shqiptare brenda Qeverisë.

Partia e drejtuar nga Ali Ahmeti shprehet kritike edhe ndaj paralajmërimeve për dialog politik dhe mundësisë që ligji të ndryshohet pasi të vlerësohet zbatimi i tij.

„Shqiptarëve nuk u duhen eksperimente dhe improvizime. Atyre u nevojitet një mekanizëm i qartë, kushtetues dhe funksional që do të garantojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore“, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, çështja nuk paraqet vetëm dështim të një ligji, por edhe dështim të një modeli qeverisës.

„Ky nuk është vetëm dështim i një ligji. Ky është dështim i një modeli të qeverisjes që i përdori shqiptarët për të ardhur në pushtet, ndërsa pas zgjedhjeve i la pa zë, pa garanci dhe pa fuqi politike“, deklaron BDI-ja.

Në përfundim të reagimit, BDI-ja përdor një gjuhë të ashpër politike ndaj VLEN-it, duke e akuzuar këtë koalicion se është i varur nga partneri më i madh qeveritar.

„Pas më shumë se dy vitesh, paterica e VMRO-DPMNE-së vetë pranoi se nuk mund të ecë pa të“, përfundon reagimi i BDI-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër