Mickoski: Maqedonia është ndër vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se ekonomia maqedonase shënon rritje të fortë, duke theksuar se BPV në tremujorin e dytë të vitit 2026 është rritur për 4,3 për qind, ndërsa rritja në gjashtëmujorin e parë arrin rreth 3,7 për qind.

Duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari, Mickoski tha se aktiviteti ekonomik është jashtëzakonisht i lartë dhe se rezultatet nga politikat e Qeverisë fillojnë të shihen.

„Në tremujorin e dytë kemi aktivitet ekonomik jashtëzakonisht të lartë dhe produkt të brendshëm bruto të rritur për 4,3 për qind“, tha Mickoski.

Ai vlerësoi se këto rezultate përfaqësojnë „lajm të keq për opozitën“, e cila, sipas tij, pret që Maqedonia të jetë e përfshirë në ndarje politike në vend që të përparojë.

Mickoski pranoi se nuk janë zgjidhur të gjitha problemet, por theksoi se Qeveria punon për tejkalimin e problemeve të trashëguara dhe, siç tha, për të mos krijuar të reja.

Kryeministri theksoi edhe rritjen e prodhimit industrial dhe stabilizimin e inflacionit. Sipas tij, me rritjen prej 3,1 për qind në tremujorin e parë dhe 4,3 për qind në të dytin, rritja mesatare në gjashtëmujorin e parë arrin rreth 3,7 për qind. „Kjo është një nga rritjet më të forta në Evropë“, vlerësoi Mickoski, duke shtuar se Maqedonia gjendet ndër vendet me rritjen më të lartë të BPV në tremujorin e dytë dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Ai bëri krahasim me Slloveninë, e cila në tremujorin e dytë të vitit 2026 ka rritje prej 4,8 për qind, por në të njëjtën periudhë në vitin 2025 kishte rritje prej 0,7 për qind. Sipas Mickoskit, para Maqedonisë janë ende Malta dhe Danimarka.

„Nuk mund t’i mohojnë faktet. Ne do të vazhdojmë edhe më tej të punojmë“, porositi kryeministri, duke kritikuar sërish kundërshtarët e tij politikë dhe reagimet e tyre në rrjetet sociale.

Mickoski u ndal edhe te vitet e mëparshme, duke theksuar se viti 2024 ishte përfunduar me rritje të BPV prej tre për qind, viti 2025 me 3,5 për qind, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 rritja arriti rreth 3,7 për qind.

Sipas tij, këto rezultate janë veçanërisht të rëndësishme nëse merret parasysh rritja ekonomike në Bashkimin Evropian dhe eurozonë, të cilat, siç theksoi, në të njëjtën periudhë shënojnë rritje prej 1,2, respektivisht një për qind.

„Kemi një rritje të vazhdueshme, në kushte kur partneri ynë më i madh tregtar, e ajo është Bashkimi Evropian dhe vendet e eurozonës, kanë norma shumë më të ulëta të rritjes“, tha Mickoski.

Ai vlerësoi se krahasimi me periudhën nga viti 2006 deri në 2008, kur Maqedonia kishte rritje prej pesë deri gjashtë për qind, duhet të bëhet duke pasur parasysh rritjen e ekonomive në BE dhe eurozonë në atë kohë.

„Kjo vetvetiu flet për politikat e kësaj Qeverie“, përfundoi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër