Shkup, 6 shtator Zhurnal.mk – Dy nga bazamentet e kioskave që u larguan në BitPazar të Shkupit vazhdojnë të shërbejnë për shitësit ambulant dhe të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve ndërsa vendkalimi ilegal edhe më tej mbetet rrezik për jetën e qytetarëve.
Sipas kreut të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, në këtë vendkalim do të vendosen semaforë për këmbësorët. Gjithashtu së shpejti pritet që vendkalimi të legalizohet. Megjithatë Gjeorgjievski nuk precizoi datën se kur ky problem do të zgjidhjet përfundimisht dhe qytetarët do të mund të lëvizin pa frikën se mund të pësojnë nga ndonjë aksident sikurse në të kaluarën.
“Pas konsultimit me qytetarët atje do të kalojmë me vendkalim legal dhe sektori i komunikacionit atje veç më po përgatit një zgjidhje reale të komunikacionit me të cilën do të vihet në funksion ai vendkalim atje. Gjithashtu, që të mos krijohet rrëmujë dhe të ketë rend në lëvizjen e qytetarëve po përgatitim që të vendosim semaforë të cilët do të jenë semaforë për këmbësoret që do të kalojnë aty. Me këtë mendoj se do të zgjidhim edhe një problem i cili zgjat me vite aty. Kur të presin qytetarët zgjidhjen? Po punohet projekti dhe menjëherë pasi të finalizohet do të jeni të informuar.” tha Orce Gjorgjievski – Kryetar i Qytetit të Shkupit.
Në vendkalimin ilegal në Bitpazat të Shkupit, prej vitesh qytetarët përballen me një problem të pazgjidhur në një nga pikat më problematike të komunikacionit në Shkup.
Vendkalimi ilegal për këmbësorë prej vitesh paraqet rrezik serioz për qytetarët. Në këtë lokacion kanë ndodhur dhjetëra aksidente, ku janë lënduar dhjetëra persona, ndërsa të paktën tre qytetarë kanë humbur jetën.
Rasti i fundit i një aksidenti ndodhi më 4 qershor të këtij viti, kur një automjet goditi dy këmbësorë, një grua dhe një burrë, të cilët pësuan lëndime trupore.
