Mexhiti pret në Çair arbëreshët nga Vakarici: Diskutohet binjakëzimi i dy komunave

Nga Xh M
66 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 shtator Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ka mirëpritur një delegacion nga Vakarici i Italisë, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo, në vizitën e tyre të parë në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë takimit u theksuan lidhjet historike, gjuhësore dhe kulturore që ekzistojnë mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe komunitetit arbëresh, të cilat, sipas Mexhitit, përbëjnë një bazë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.

Në takim u diskutua mundësia e binjakëzimit të Komunës së Çairit me Vakaricin, si dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore me qëllim të promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët shqiptare.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe tema me rëndësi për shqiptarët në Shkup, përfshirë përdorimin e emrave shqip të rrugëve në Çair dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vend.

Mexhiti vlerësoi se vizita e delegacionit arbëresh përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm dhe zhvillimit të iniciativave e projekteve të përbashkëta mes Çairit dhe Vakaricit.

“Me arbëreshët na lidh një histori e gjatë, gjuha dhe një trashëgimi që ata e kanë ruajtur ndër breza. Sot, këtyre lidhjeve duam t’u japim edhe një dimension të ri, përmes bashkëpunimit mes komunave tona”, theksoi Mexhiti.

https://www.facebook.com/share/p/14nH1VB59Ti/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër