Në vend të ndihmës po rëndohet jeta studentore, MASH nuk e sheh prioritet ndihmën financiare për studentët!

Nga I.A
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Shtrenjtimi i biletave në fillim të vitit akademik rëndon xhepat e zbrazur të studentëve. Thua se në RMV studentët gjatë pushimit veror kanë punuar dhe kanë marrë të ardhura të majme që t’i përballojnë shtrenjtimet e cilësdo natyre qofshin. Së fundmi u rrit çmimi i biletave jo rritje e lehtë, por e rënduar që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin studentor. Në të njëjtën kohë, dy paradokse e bëjnë situatën edhe më absurde hetimi për vjedhje masive në një konvikt studentor dhe vendimi për rritjen e çmimit të biletave, ndërsa MASH qëndron duarkryq sikurse nuk po ndodhë asgjë, shkruan Zhurnal.

Studentët goditen sërish

Rritja e çmimeve të transportit ndërurban ka goditur më së shumti studentët, të cilët janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë drejt Shkupit për studime. Për ta bileta nuk është luks, por domosdoshmëri. Megjithatë, kjo domosdoshmëri po kthehet në barrë të papërballueshme.

Nga Kumanova në Shkup, bileta mujore kushton 6.000 denarë, nga Tetova 6.500 denarë nga Velesi 5.500 denarë. Për studentët që udhëtojnë çdo ditë, kjo është një shumë e majme që nuk mund të shmanget. Nëse dikush vjen nga Ohri apo Strumica, shpenzimet janë edhe më të larta deri në 980 denarë për një drejtim.

Kjo rritje është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj standardit të jetesës së studentëve. Në vend që të lehtësohet jeta e tyre, ajo po rëndohet me çdo vendim të ri. Dhe ndërsa studentët përballen me dilema të tilla si “a të paguaj biletën apo librin”, institucionet heshtin.

Puna në Shkup po bëhet luks

Transporti ndërurban po shndërrohet në luks për shumë familje. Një familje që udhëton çdo ditë drejt Shkupit mund të shpenzojë deri në 18.000 denarë në muaj vetëm për autobus. Nga Kumanova, Tetova, Velesi apo Kavadari, shifrat flasin vetë çdo rritje e çmimit të biletës është një goditje e re për buxhetin familjar.

Nëse dikush mendon se kjo është vetëm problem i studentëve, gabon. Punëtorët, prindërit, qytetarët që udhëtojnë për shërbime shëndetësore të gjithë janë të prekur. Transporti publik, që duhej të ishte një mundësi e barabartë për të gjithë po kthehet në barrë sociale.

Sa kushton kjo në të vërtetë për një familje?

Një familje nga Kumanova me dy studentë që udhëtojnë çdo ditë drejt Shkupit duhet të ndajë 12.000 denarë në muaj vetëm për transport. Nëse edhe një prind udhëton për punë, shuma arrin në 18.000 denarë. Kjo është 216.000 denarë në vit një barrë e papërballueshme për një familje me të ardhura mesatare.

Me një pagë mesatare prej 48.381 denarësh, transporti merr mbi 20 për qind të të ardhurave mujore. Kur shtohen ushqimi, energjia, qiraja dhe shpenzimet e tjera, bëhet e qartë se shumë familje nuk mund ta përballojnë këtë barrë. Për studentët kjo është çështje e së drejtës për arsim.

Dy studentë një barrë e padukshme

Familjet me dy studentë janë në situatën më të vështirë. Vetëm transporti kushton mbi 12.000 denarë në muaj, pa llogaritur librat, ushqimin dhe shpenzimet e tjera. Nëse një prind udhëton gjithashtu, shuma arrin në 18.000 denarë më shumë se 37 për qind e pagës mesatare.

Kjo barrë nuk shihet vetëm në çmimin e biletës, por në kufizimin e mundësive për studentët. Shumë prej tyre detyrohen të zgjedhin mes studimeve dhe punës, mes arsimimit dhe mbijetesës. Dhe kjo është një zgjedhje që nuk duhet të ekzistojë në një shoqëri që pretendon se investon në të ardhmen.

MASH nuk e sheh si prioritet këtë situatë

Subvencione ka, por vetëm për transportin brenda Shkupit. Studentët që vijnë nga qytetet e tjera mbeten jashtë çdo skeme ndihme. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka deklaruar se subvencionimi i biletave ndërurbane nuk është prioritet për momentin.

Kryeministri Mickoski ka premtuar rishikim të çështjes, por për studentët që çdo ditë paguajnë 8.000 apo 10.000 denarë në muaj, ky premtim nuk sjell zgjidhje të menjëhershme. Për ta, çdo ditë është një barrë e re financiare. Në vend që të lehtësojë jetën e studentëve institucionet po e rëndojnë atë.

Kujtojmë që, rritja e çmimeve të biletave ndërurbane është më shumë se një problem ekonomik është një problem social dhe politik. Kur studentët nuk mund të përballojnë transportin për të ndjekur studimet, e drejta për arsim bëhet e kufizuar. Dhe derisa MASH të vendosë që ndihma financiare për studentët të jetë prioritet, çdo biletë e shtrenjtë do të mbetet një pengesë e re në rrugën drejt dijes. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër