Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Me rastin e 35‑vjetorit të pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, iu drejtua të pranishmëve në shtëpinë ligjvënëse, duke porositur se 8 Shtatori është kurora e një angazhimi shumëdekadësh, por edhe kujtesë se shteti ndërtohet çdo ditë përmes institucioneve, ligjeve dhe besimit të qytetarëve. Në fjalimin e tij festiv, Gashi theksoi se rruga gjatë këtyre tre dekadave e gjysmë nuk ka qenë e lehtë, por se vendi arriti ta fitojë pavarësinë në mënyrë paqësore.
“Pavarësisht se cilit tabor politik i përkisnin dhe nëse pajtohemi me të gjitha vendimet politike të asaj gjenerate, nuk mund të mos e pranojmë dhe vlerësojmë faktin se Maqedonia u bë e pavarur dhe sovrane në mënyrë paqësore, diçka që nuk ndodhi me republikat e tjera që u ndanë nga ish‑Jugosllavia. Për këtë arsye, 8 Shtatori dhe referendumi i vitit 1991 janë ditëlindje paqësore e një shteti të ëndërruar nga shumë gjenerata dhe kurora e një angazhimi shumëdekadësh”, theksoi Gashi.
Ai potencoi se, në vend që vetëm të kthehemi pas në të kaluarën, sfida kryesore për këtë gjeneratë është të përcaktojë çfarë shteti do t’u lërë brezave të ardhshëm.
“Sipas analogjisë me thënien legjendare të presidentit Kennedy, ne nuk duhet vetëm ta shtrojmë pyetjen çfarë ka bërë shteti për ne, madje as çfarë kemi bërë ne për shtetin në këto 35 vite, por të gjithë duhet të pyesim veten çfarë shteti dëshirojmë të kemi në 35 vitet e ardhshme. Ky është sfida e gjeneratës sonë”, porositi kryetari i Kuvendit.
Sipas tij, vizioni për të ardhmen duhet të mbështetet mbi institucione funksionale, ku administrata është në shërbim të qytetarëve, ndërsa sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë imperativ.
“Ne mund të kemi gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme, tradita të ndryshme, bindje politike të ndryshme, por kemi vetëm një shtet të përbashkët. Kjo duhet të jetë baza e marrëdhënies sonë”, theksoi Gashi, duke shtuar se Kuvendi duhet të tregojë përgjegjësi mbi parti për qëllimet themelore shtetërore.
