Prokuroria do të dëshmojë me prova dhe dëshmitarë keqpërdorimin në “Lotarinë Shtetërore”, mbrojtja pretendon pafajësinë e Grubit

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 shtator, Zhurnal.mk – Prokuroria do të kërkojë që përmes provave dhe dëshmitarëve të dëshmojë keqpërdorimin e detyrës në rastin e SHA “Lotaria shtetërore”, ndërsa mbrojtja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi pretendon se ai nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe njofton se këtë do ta vërtetojë gjatë procedurës. Këto ishin mesazhet kryesore pas seancës së sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, e cila u shty për të premten për shkak të kërkesës së njërit prej të akuzuarve që t’i dorëzohet aktakuza në gjuhën shqipe.

Prokurori publik Daniel Kocev, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se Prokuroria nuk do ta zbulojë strategjinë e saj në detaje.

“Në seancën e sotme gjyqësore, lexova aktakuzën. Ju të gjithë mund të dëgjoni se çfarë do të tregojmë. Listën e provave me prezantimin e secilës provë veç e veç, do të keni mundësi ta dëgjoni këtë. Nuk do të zbulonim asgjë paraprakisht se cila është teoria në detaje e prokurorisë publike, sepse mbrojtja përbëhet nga një numër i madh avokatësh mbrojtës me përvojë dhe nuk do të donim t’u ndihmonim atyre shtesë”, tha Kocev.

Lidhur me ndryshimin në kualifikimin ligjor të veprës, ai potencoi se hetimi nuk ofroi prova të mjaftueshme për veprën fillestare.

“Kualifikimi është ndryshuar sepse nuk kemi ofruar prova me të cilat do të ishim në gjendje të vërtetonim krimin e përvetësimit. Besojmë se provat të cilat u siguruan gjatë hetimit paraprak dhe hetimit i japin të drejtë prokurorisë publike të ngrejë akuza për veprën për të cilin beson se duhet të parashtrohet akuza”, tha Kocev.

Duke iu referuar reagimeve në opinion pasi Grubit pas kthimit në vend iu dha arresti shtëpiak në vend të paraburgimit efektiv, Kocev theksoi se vendimi është marrë në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë.

“Tek ne arriti informacioni nga MPB-ja, i cili është një informacion shumë kompleks që përmban edhe informacion të cilin e ka marrë ASK-ja, se siguria e tij është në rrezik. Pra, ky nuk është informacion siç u transmetua në publik se Artan Grubi nuk ishte i sigurt në Shutkë, por ky është një informacion shumë kompleks i cili përmban informacion nga dy vjet më parë”, tha prokurori.

Mbrojtja e Grubit, megjithatë, pohon se akuza është e pabazuar. Avokati Goce Ristovski tha se gjatë gjykimit do të përballen dhe do të paraqiten argumentet e të dyja palëve.

“Në sallën e gjyqit do të dëgjoni dëshmitarë, do të ballafaqohen argumentet e Prokurorisë dhe mbrojtjes dhe do të mund të shihni se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, si dhe cilat janë tezat e mbrojtjes dhe të Prokurorisë Publike”, deklaroi Ristovski.

Kur u pyet nëse kishin prova të mjaftueshme për të mbrojtur Grubin, ai u përgjigj pozitivisht.

“Jemi të bindur plotësisht se klienti ynë është i pafajshëm dhe se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të paligjshëm që do të paraqiste vepër penale. Ky është qëndrimi ynë dhe ne do ta dëshmojmë këtë gjatë procedurave”, tha ai.

Prokurori Aleksandar Davçevski vlerësoi se kërkesa e të akuzuarit Bashkim Avdiu për përkthim me shkrim të aktakuzës është bërë në një kohë që ka çuar në vonesë të procedurës.

“Reagova, gjegjësisht reagoi Prokuroria, në kontekstin e momentit kur u theksua ajo e drejtë. Në fakt, ajo e drejtë iu lexua dhe iu bë me dije të akuzuarit në seancën e mëparshme, kështu që kjo vonesë mund të ishte shmangur”, tha Davçevski.

Ai theksoi se e drejta për të përdorur gjuhën amtare është e padiskutueshme, por shprehu pritjen e tij që mbrojtja nuk do të kërkonte përkthimin e të gjithë dokumentacionit.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Bashkim Avdiu, Asmir Alispahiq, tha se klienti i tij kërkoi një përkthim me shkrim të aktakuzës sepse nuk e kuptonte atë mjaftueshëm në gjuhën maqedone.

Ai mohoi se kërkesa kishte për qëllim vonimin e procedurës.

“Jo se po kërkojmë gjithçka për të ndaluar procesin, por ato themelore, ku përshkruhet si një veprim subjektiv që i vihet atij, në mënyrë që ai t’i kuptojë ato, në mënyrë që të mund të vazhdojmë normalisht” tha Alispahiq.

Përveç Grubit dhe ish-drejtorit të “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili po gjykohet në mungesë, në këtë rast janë edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Përveç Avdiut, i cili kërkoi përkthimin e aktakuzës, dhe Bajramit, i cili nuk është i disponueshëm për forcat e rendit, të gjithë të akuzuarit kanë deklaruar se nuk janë fajtorë.

Sipas aktakuzës, e cila përfaqësohet nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, i referohet veprimeve të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit i kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëme “Lotarisë Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarësh. Aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski. Prokurorët paralajmëruan nxjerrjen e 231 dëshmive materiale, ekspertizave dhe dëshmive të shtatë dëshmitarëve.

Sipas propozim aktakuzës së parashtruar nga Prokuroria themelore publike Shkup, Artan dhe shtatë persona të tjerë ngarkohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024 i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotarisë shtetërore” prej m bi 507 milionë denarë. Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale – keqpërdorim i pozitës zytzare dhe autorizimit.

I akuzuari i parë – ish-drejtori i “Lotarisë shtetërore” Përparim Bajrami ende nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes, përkatësisht ndodhet në arrati, dhe për atë Prokuroria kërkon që t’i caktohet arresti shtëpiak për një periudhë prej 30 ditësh, ndërsa për të akuzuarin e dytë Artan Grubi, është propozuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak.

Grubi, pas më shumë se 14 muajsh në arrati, në shkurt të këtij viti u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, Grubi, në vend që të mbahej në paraburgim, të cilit më herët i ishte caktuar në mosprezencë, për arsye sigurie, iu caktua masa e arrestit shtëpiak.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër