Rajoni i Prilepit rrezikon epidemi të reja

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prilep, 7 shtator Zhurnal.mk – Rajoni i Prilepit përballet me rrezik serioz nga përhapja e sëmundjeve infektive për shkak të shkallës së pamjaftueshme të imunizimit. Ndonëse përqindja në këtë rajon është pak më e lartë se mesatarja shtetërore, e cila arrin vetëm 62 për qind, ajo mbetet shumë larg nivelit të nevojshëm prej 95 për qind. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Prilep paralajmërojnë se gjendja vazhdon të jetë kritike.

Sipas epidemiologes dr. Tatjana Stanimiroviq, shkaqet kryesore janë mosbesimi ndaj vaksinave, dezinformatat dhe mungesa serioze e personelit mjekësor.

Mungojnë mjekë, infermierë dhe infermierë të patronazhit, ndaj pikat e vaksinimit punojnë vetëm në një ndërrim. Vaksinimi në terren dhe kujdestaritë gjatë fundjavës, të cilat praktikoheshin më parë, tashmë nuk realizohen.

Prindërit njoftohen kryesisht përmes mesazheve SMS, duke e kufizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe informimin e tyre. Problem i veçantë është shtyrja e vaksinës MRP. Për shkak të frikës dhe pretendimeve të pabazuara lidhur me zhvillimin psikomotor të fëmijëve, disa prindër e shtyjnë vaksinimin deri në vitin e tretë ose të katërt, në vend që ai të kryhet në vitin e dytë.

Epidemiologët kërkojnë ndryshime urgjente ligjore, angazhim më të madh të mjekëve amë, luftë institucionale kundër lajmeve të rreme dhe plotësim të ekipeve të imunizimit. Ata paralajmërojnë se rreziku i përhapjes së epidemive nga vendet fqinje është real, siç dëshmuan epidemia e fundit e pertusisit dhe kërcënimi nga fruthi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër