Finlanda përfundon gardhin 200 kilometra në kufirin me Rusinë: Duhet të jemi plotësisht të përgatitur

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Helsinki, 7 shtator Zhurnal.mk – Finlanda ka përfunduar ndërtimin e një gardhi rreth 200 kilometra të gjatë përgjatë pjesëve strategjike të kufirit me Rusinë, në një masë të ndërmarrë për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e kalimeve të paligjshme.

Gardhi është ndërtuar në seksione të ndryshme përgjatë kufirit 1,340 kilometra të gjatë me Rusinë dhe është pajisur me kamera, sensorë dhe tela me gjemba. Autoritetet finlandeze e konsiderojnë atë pjesë të sistemit të mbikëqyrjes dhe kontrollit të kufirit.

Finlanda mbylli kufirin tokësor me Rusinë në dhjetor 2023, pasi mbi 1,300 emigrantë mbërritën në pikat kufitare pa viza ose dokumentacionin e nevojshëm. Megjithëse situata është qetësuar ndjeshëm dhe janë regjistruar vetëm raste të izoluara të kalimeve të paligjshme, autoritetet në Helsinki mbeten në gatishmëri.

“Sot, situata është e qetë, por e tensionuar dhe ne nuk e dimë vërtet se çfarë na pret e nesërmja”, deklaroi ministrja e Brendshme finlandeze, Mari Rantanen, për AFP. Ajo foli pranë pikës kufitare të Nuijamaa, në juglindje të vendit, e cila është e mbyllur prej afro tre vitesh.

“Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt, kështu që ne duhet të jemi plotësisht të përgatitur”, shtoi ministrja.

Gardhi, i cili arrin një lartësi prej rreth 4.5 metrash në disa prej seksioneve të tij, është vendosur kryesisht në zonat që konsiderohen më të ekspozuara. Përveç barrierave fizike, sistemi përfshin edhe mjete teknologjike për monitorimin e kufirit.

Në vitin 2023, autoritetet finlandeze akuzuan Moskën se po përdorte emigracionin si pjesë të një “lufte hibride”, duke lehtësuar mbërritjen e shtetasve të vendeve të treta drejt kufirit finlandez. Kremlini i ka mohuar këto akuza.

Ndërtimi i gardhit vjen në një periudhë kur Finlanda ka forcuar ndjeshëm orientimin e saj të sigurisë. Pas dekadash neutralitet ushtarak, vendi u bë anëtar i NATO-s në prill 2023, në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ministrja Rantanen e përshkroi barrierën si një element të rëndësishëm të sigurisë kufitare.

“Kjo është pjesë e sistemit tonë të sigurisë kufitare dhe na ndihmon me mbikëqyrjen, por gjithashtu na lejon, nëse është e nevojshme, të parandalojmë njerëzit të hyjnë në territorin finlandez”, tha ajo.

Finlanda nuk është i vetmi vend i rajonit që ka marrë masa të tilla. Gardhe dhe barriera të ngjashme janë ndërtuar edhe nga Letonia, Lituania dhe Polonia përgjatë kufijve me Bjellorusinë, ndërsa Estonia ka forcuar barrierat në kufirin e saj me Rusinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër