ANALIZË – AfD-ja drejt pushtetit në Gjermani? Katër skenarët pas fitores së bujshme

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 8 shtator, Zhurnal.mk – Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) njoftoi se ka marrë një mandat për të qeverisur, pas fitores bindëse në zgjedhjet në landin lindor gjerman të Saksoni-Anhaltit.

Rezultati e ka afruar partinë e ekstremit të djathtë, më shumë se kurrë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, me mundësinë për të marrë drejtimin e një landi gjerman.

Megjithatë, AfD-ja nuk arriti shumicën absolute, ndaj mbetet e paqartë se kush do të mund të formojë qeverinë në këtë land me rreth 2,1 milionë banorë.

Më poshtë janë pyetjet kryesore dhe skenarët e mundshëm:

Çfarë rezultati mori AfD-ja?

AfD-ja fitoi zgjedhjet e së dielës me një diferencë të madhe. Ajo mori më pak se 44% të votave dhe siguroi 39 nga 83 mandatet në parlamentin e landit.

Për të qeverisur e vetme, partisë i duhen 42 mandate, pra i mungojnë edhe 3 vende.

CDU-ja, partia e kryeministrit të landit, Sven Schulze doli e dyta, por shumë larg AfD-së, me pak më shumë se 17% të votave.

E Majta, Të Gjelbrit dhe Social Demokratët (SPD) morën secila rreth 9%.

Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW), një parti populiste e krijuar nga ish-politikania e së Majtës, Sahra Wagenknecht, arriti të kalojë me vështirësi pragun prej 5%, që nevojitet për të hyrë në parlament.

Si shpreson të marrë pushtetin AfD-ja?

Kandidati kryesor i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund deklaroi se do të kërkojë mbështetjen e partive të tjera parlamentare dhe të deputetëve individualë.

Synimi i tij është të krijojë sa më shpejt një shumicë të qëndrueshme në parlament, mbi të cilën qeveria e tij mund të mbështetet.

Megjithatë, ai ka pranuar se negociatat mund të zgjasin disa javë.

Siegmund ka vendosur një kusht të fortë, nëse AfD-ja negocion me partitë e tjera, qëndrimet kryesore të AfD-së, veçanërisht për emigracionin dhe sigurinë e brendshme, duhet të zbatohen “100%”.

Megjithatë, në mbrëmjen e zgjedhjeve ai pranoi se nuk shihte ndonjë parti tjetër që të ishte e gatshme, për të mbështetur programin e AfD-së në këtë masë.

A mund të kalojnë deputetë të CDU-së te AfD-ja?

Kjo është një mundësi për të cilën është folur prej muajsh.

Disa politikanë të AfD-së pretendojnë se kanë pasur diskutime me deputetë të CDU-së, për mundësinë që ata të largohen nga CDU-ja dhe t’i bashkohen AfD-së.

Megjithatë, nuk është bërë publik asnjë emër dhe nuk ka prova se një kalim i tillë është pranë realizimit.

Një deputet i CDU-së që do të kalonte në AfD, do të përballej gjithashtu me presion të madh politik dhe publik.

A mund të mbështetet AfD-ja te BSW-ja?

Teorikisht, po. BSW, partia e themeluar nga Sahra Wagenknecht, kombinon politika ekonomike të majta me qëndrime të ashpra për emigracionin dhe kundërshtimin e mbështetjes që Gjermania i jep Ukrainës.

Kandidati kryesor i BSW-së në Saksoni-Anhalt, Thomas Schulze, përsëriti dje se partia e tij, mund të ndihmojë një kryeministër të AfD-së të marrë detyrën, duke abstenuar në votimin vendimtar në parlament.

Abstenimi do të thotë që deputetët nuk votojnë as “pro” dhe as “kundër”.

Megjithatë, Siegmund ka qenë kritik ndaj BSW-së, duke e quajtur partinë pjesë të problemit dhe jo të zgjidhjes.

A mund të formojë AfD-ja një qeveri minoritare?

Po, është një tjetër mundësi. Bashkëkryetari kombëtar i AfD-së, Tino Chrupalla, ka hedhur idenë e një qeverie minoritare, e cila do të tolerohej nga BSW-ja.

Në një qeveri minoritare, partia në pushtet nuk ka shumicën e mandateve dhe duhet të kërkojë mbështetje nga partitë e tjera, për çdo ligj apo vendim të rëndësishëm.

Chrupalla e ka cilësuar këtë model si demokratikisht të ligjshëm dhe të mundshëm në praktikë.

Siegmund është më skeptik. Ai thotë se nuk dëshiron “lojëra politike” që do ta linin qeverinë pa një mbështetje të qëndrueshme në parlament.

A mund të ketë zgjedhje të reja?

Po. Siegmund përmendi mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet të formohet një qeveri.

Por, për shpërndarjen e parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, nevojiten disa hapa proceduralë dhe mbështetje e mjaftueshme parlamentare.

Kushtetuta e Saksoni-Anhaltit parashikon disa mënyra për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, përfshirë edhe një votim të deputetëve për t’i dhënë fund para kohe, mandatit të parlamentit.

A mund të vazhdojë CDU-ja të drejtojë qeverinë?

Matematikisht, po. Politikisht, do të ishte shumë e vështirë.

Për ta mbajtur AfD-në jashtë qeverisë, do të duhej bashkëpunimi i të pesë partive të tjera në parlament ku përfshihen: CDU; SPD; Të Gjelbrit; E Majta dhe BSW.

Një koalicion i tillë me pesë parti, do të ishte jashtëzakonisht i pazakontë dhe shumë i vështirë për t’u negociuar.

Për më tepër, CDU-ja ka vendime zyrtare të partisë, që përjashtojnë koalicionet ose bashkëpunimin e ngjashëm si me AfD-në, ashtu edhe me të Majtën.

E Majta ka thënë se mund të ofrojë mbështetje joformale nëse merr disa lëshime politike, ndërsa BSW-ja kishte zhvilluar fushatën pikërisht, me synimin për ta larguar CDU-në nga pushteti.

Çfarë ndodh tani?

Partitë parlamentare do të zhvillojnë takimet e para në ditët në vijim.

Sipas kushtetutës së landit, parlamenti i ri duhet të mblidhet brenda 30 ditëve nga zgjedhjet, pra jo më vonë se 6 tetori.

Mandati i kryeministrit aktual dhe ministrave, përfundon zyrtarisht kur mblidhet parlamenti i ri.

Megjithatë, ata duhet të vazhdojnë detyrën si qeveri kujdestare, derisa të zgjidhen pasardhësit e tyre.

Nuk ka një afat të përcaktuar se kur duhet të zgjidhet kryeministri i ri.

Si zgjidhet kryeministri?

Kryeministri zgjidhet nga deputetët përmes votimit të fshehtë.

Në raundin e parë, kandidatit i duhet shumica absolute, pra më shumë se gjysma e të gjithë deputetëve.

Në këtë rast, me 83 deputetë, kandidati duhet të marrë të paktën 42 vota.

Nëse askush nuk e arrin këtë shumicë, brenda shtatë ditësh zhvillohet një tjetër votim, përsëri me të njëjtat rregulla.

Nëse edhe kjo dështon, parlamenti ka 14 ditë të tjera, për të vendosur nëse do të shpërndahet dhe do të zhvillohen zgjedhje të reja.

Nëse deputetët votojnë kundër shpërndarjes së parlamentit, zhvillohet menjëherë një tjetër votim.

Dhe pikërisht ky raund i fundit mund të jetë vendimtar për AfD-në.

Në këtë fazë, kandidatit nuk i kërkohet më shumica absolute e të gjithë deputetëve. Mjafton të marrë më shumë vota se kandidati tjetër, pra shumicën e votave të hedhura.

Kjo do të thotë se abstenimi i BSW-së ose i deputetëve të tjerë, mund t’i hapë rrugën një kandidati të AfD-së për t’u bërë kryeministër, edhe pa pasur mbështetjen e shumicës absolute të parlamentit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër