Shkup, 8 shtator, Zhurnal.mk – Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, dërgoi urim me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë.
“Në emër të popullit amerikan, dërgoj urimet më të ngrohta për popullin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa festoni 35 vjet pavarësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që qëndrojnë pranë Maqedonisë së Veriut si aleat dhe partner i besueshëm. Maqedonia e Veriut luan rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin përmes përkushtimit të saj ndaj mbrojtjes sonë të përbashkët dhe bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe përpjekjeve për siguri kibernetike”, thuhet në urimin e Rubio të publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.
Sekretari amerikan i shtetit përshëndet rritjen e vazhdueshme të partneritetit ekonomik, përfshirë edhe përmes Dialogut Strategjik të këtij viti në Uashington.
“Bashkë, i avancojmë mundësitë në energjetikë, infrastrukturë, teknologji dhe sektorë të tjerë për forcimin e prosperitetit në të dy vendet tona. Ju urojmë Ditë të Pavarësisë të gëzuar dhe paqe, siguri dhe prosperitet të vazhdueshëm në vitet që vijnë”, theksoi Rubio.
