Shkup, 11 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti dhe lideri i partisë nacionaliste bullgare „Prerodba“, Kostadin Kostadinov, ka paraqitur sot në Parlamentin bullgar një iniciativë për trajtim të gjuhës maqedonase si dialekt të gjuhës bullgare.
Kostadinov nuk është i panjohur për qëndrime të tilla. Në deklarata të mëparshme nga foltorja parlamentare, ai ka pretenduar se maqedonishtja është dialekt i bullgarishtes dhe se të folmet maqedonase i përkasin hapësirës gjuhësore bullgare.
Partia „Prerodba“, e udhëhequr nga Kostadinov, është një forcë nacionaliste dhe euroskeptike në opozitë në Bullgari. Ajo kundërshton politikën euroatlantike të Sofjes, futjen e euros dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Iniciativa e fundit ka shkaktuar reagime të forta, duke u cilësuar si një tjetër provokim politik ndaj identitetit dhe gjuhës maqedonase.
