Gogu: Rishikimi i Kodit Penal për paraburgimin bazohet në rekomandimet e Këshillit të Europës

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu bëri të ditur sot se puna e nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale bazohet në rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin dhe ka në fokus forcimin e garancive për lirinë e personit dhe funksionimin real të alternativave ndaj arrestit në burg.

Duke folur në tryezën kushtuar masave të sigurimit, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, Gogu theksoi se puna me Këshillin e Evropës po kalon nga rekomandimet te procesi i reformës.

“Puna jonë me Këshillin e Evropës nuk mbaron me dokumentin që diskutojmë sot. Rekomandimet e tij po ushqejnë drejtpërdrejt punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”, deklaroi ministri.

Sipas Gogut, në këtë proces po shqyrtohen çështje që lidhen me kriteret për paraburgimin, arsyetimin e individualizuar të masës, shqyrtimin real të masave më pak kufizuese, aksesin në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masë sigurimi dhe forcimin e alternativave.

Ministri theksoi se drejtimi i reformës duhet të ruajë njëkohësisht efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale dhe garancitë e procesit të rregullt e të lirisë së personit.

“Kapaciteti i shtetit për të hetuar dhe ndjekur penalisht duhet të mbetet i fortë. Por po aq të forta duhet të jenë garancitë e procesit të rregullt dhe mbrojtja e lirisë së personit. Njëra nuk fitohet duke dobësuar tjetrën”, tha Gogu.

Krahas ndryshimeve ligjore, Ministria e Drejtësisë po punon për rikthimin në funksion të mbikëqyrjes elektronike, si një nga instrumentet që u jep gjykatave mundësi reale për zbatimin e masave alternative.

Gogu tha se është siguruar financimi i nevojshëm për vitin 2027 dhe se objektivi është që sistemi i mbikëqyrjes elektronike të jetë operacional në mars 2027.

“Një alternativë që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë. Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit, jo e gjykatës”, deklaroi ministri.

Sistemi parashikohet të mbështetet me personel të trajnuar, protokolle të qarta reagimi dhe raportimi ndaj gjykatës dhe prokurorisë, si dhe me forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Provës.

Ministri nënvizoi gjithashtu kufirin institucional mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke theksuar se Ministria e Drejtësisë nuk ka rol në vendimin se çfarë mase sigurimi duhet të caktohet në një çështje konkrete.

“Gjykata e Lartë ka qartësuar standardin. Ne po punojmë që edhe kuadri ligjor ta mbështesë atë dhe po ndërtojmë mbikëqyrjen elektronike e po forcojmë Shërbimin e Provës që alternativat të jenë reale dhe të besueshme. Ligj më i qartë. Alternativa reale. Institucione që funksionojnë. Kjo është pjesa që na takon ne”, përfundoi Gogu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër