Përmbyllet cikli nëntëvjeçar i dialogut të strukturuar për reformat evropiane në kuadër të Konventës Kombëtare

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Me sesionin përmbyllës të 75‑të me temë “Kontributi i dialogut të strukturuar në procesin eurointegrues të Republikës së Maqedonisë së Veriut: nga ‘Themelet’ e më gjerë”, Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (NKEU‑MK) e përmbylli ciklin nëntëvjeçar të dialogut të strukturuar të dedikuar reformave të lidhura me integrimin evropian.

Në sesionin e mbajtur sot në Klub të Deputetëve, përfaqësues të institucioneve, gjyqësorit, prokurorisë, sektorit civil, komunitetit akademik dhe opinionit ekspert diskutuan për sfidat reformuese në Klasterin 1 – “Themelet”, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit, gjyqësorin, sigurinë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në nëntë vitet e kaluara, NKEU‑MK ndërtoi një platformë të gjerë për dialog ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, duke mundësuar që reformat evropiane të shqyrtohen përmes debatit ekspert të argumentuar dhe rekomandimeve konkrete. Në punën e Konventës morën pjesë mbi 3.000 pjesëmarrës, ndërsa tek institucionet kompetente u dërguan mbi 700 rekomandime, zbatimi i të cilave ishte objekt i ndjekjes së vazhdueshme.

Në hapjen e sesionit përmbyllës foli ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili dërgoi mesazh të fortë se “Qëllimi përfundimtar i procesit eurointegrues është Maqedonia të jetë vend më i mirë për të jetuar, ta bëjmë Maqedoninë evropiane, në të cilën qytetarët do të jetojnë evropianisht”.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u ndal te ky pohim, duke theksuar se fëmijët tanë meritojnë Maqedoni evropiane dhe vlera evropiane. “Integrimi evropian nuk është vetëm harmonizim i legjislacionit, por reforma të vërteta si pjesë e një kornize më të gjerë”, tha ai, duke shtuar se hapi i ardhshëm i rëndësishëm është digjitalizimi.

Ambasadorja e Republikës së Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut, Iveta Hricova, tha se Sllovakia është krenare që e ka mbështetur iniciativën për Konventën Kombëtare që nga fillimi dhe se me kalimin e viteve u dëshmua se këto debate frytdhënëse treguan se procesi eurointegrues nuk është vetëm punë e Qeverisë dhe institucioneve, por edhe dialog i të gjithë qytetarëve.

Edhe drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Sllovake për Politikë të Jashtme (SFPA), Jitka Ivanchikova, shprehu kënaqësi që Sllovakia e mbështet Konventën gati një dekadë, konkretisht që nga viti 2017, përmes transferimit të përvojës së saj dhe mësimeve të nxjerra në rrugën drejt BE‑së.

Në sesion u nënshkrua edhe Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Lëvizjes Evropiane në Maqedoninë e Veriut (EMMK), si bartës i NKEU‑MK, me çka u konfirmua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile në procesin reformues.

Koordinatorja kombëtare, prof. dr. Mileva Gjurovska, theksoi se dialogu i strukturuar mundësoi përfshirje të vazhdueshme dhe sistematike të ekspertëve dhe shoqërisë civile në procesin eurointegrues përmes rreth 70 sesioneve të mbajtura nga kapitujt themelorë. “Reformat nuk mund të presin. Shteti nuk mbahet vetëm me ligje, por edhe me krijimin e besimit tek qytetarët që të ndihen si pjesëtarë”, tha ajo.

Në kuadër të tre paneleve u hapën çështje kyçe për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, si dhe luftën kundër korrupsionit. Sesioni përmbyllës ishte mundësi jo vetëm për reflektim mbi të arriturat, por edhe për vlerësim të sfidave të mbetura dhe nevojës për vazhdimin e dialogut për çështjet me rëndësi për integrimin evropian të vendit.

NKEU‑MK në nëntë vitet e kaluara u zhvillua në platformë për dialog të hapur, gjithëpërfshirës dhe të strukturuar ndërmjet institucioneve relevante, ekspertëve, organizatave qytetare dhe komunitetit akademik. Metodologjia e NKEU‑MK bazohet në përvojën e Shoqatës Sllovake për Politikë të Jashtme dhe është përshtatur në kontekstin maqedonas.

“Nga ‘Themelet’ e më gjerë” është mesazhi me të cilin NKEU‑MK e përmbyll këtë cikël, por jo edhe rëndësinë e dialogut të strukturuar për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër