Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, paralajmëroi takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanët e fakulteteve juridike, ku do të prezantohet dhe demonstrohet praktikisht zgjidhja e propozuar për provimin e jurisprudencës. Takimi, sipas Shasivarit, pritet të zhvillohet në pjesën e parë të tetorit, pasi të nisë viti i ri akademik. Ai tha se përmes dialogut dhe bashkëpunimit me asociacionet studentore synohet që studentëve t’u shpjegohet konkretisht se si do të funksionojë zgjidhja.
“Qëllimi është që në mënyrë praktike t’ju prezantohet zgjidhja dhe t’ju demonstrohet praktikisht se si do të funksionojë”, tha Shasivari.
Ministri bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë parashtruar pesë kërkesa nga pesë asociacione studentore për zhvillimin e provimit në gjuhë të ndryshme.
Sipas tij, tre asociacione kanë kërkuar që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe, një në gjuhën angleze, ndërsa një tjetër në gjuhën angleze dhe turke. Shasivari sqaroi se kërkesat lidhen me faktin se në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të dytë, përkatësisht studime të magjistraturës, në këto gjuhë.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane gjatë hartimit të zgjidhjes për provimin e jurisprudencës.
“Respektimi i tyre është shumë me rëndësi lidhur me këtë qasje gjithëpërfshirëse”, tha Shasivari.
Në pjesën e parë të tetorit, do të organizoj takim institucional me përfaqësues të asociacioneve studentore, me dekanët e fakulteteve Juridike për prezantimin e zgjidhjes dhe për sqarimin konkret, si dhe demonstrimin praktik konkret të zgjidhjes. Besoj që së shpejti do t’ju dërgohen edhe ftesat për takim. Tani është koha e regjistrimeve në universitete, ende nuk ka filluar viti akademik. Prandaj në pjesën e parë të tetorit, pasi të fillojë viti akademik, mendoj që nëpërmjet dialogut, partneritetit me asociacionet studentore, qëllimi është që në mënyrë praktike t’ju prezantohet zgjidhja dhe t’ju demontrohet praktikisht se si do të funksionojë. Kur flasim për asociacione studentore, unë e informova opinionin edhe në pyetjet e deputetëve që i pata në Kuvend, se gjatë kësaj periudhe janë pesë kërkesa, të parashtruara nga pesë asociacione studentore. Tre kërkojnë në gjuhën shqipe, një kërkon në gjuhën angleze dhe një në gjuhë angleze dhe turke. Meqenëse në këto pesë universitete zhvillohen studime juridike të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë të magjistraturës në këto gjuhë që i përmenda. Në këtë drejtim janë me rëndësi edhe standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Respektimi i tyre është shumë me rëndësi lidhur me këtë qasje gjithëpërfshirëse.
