Kushtetuesja vendos për ankesat e PDK-së: Konstituimi i Kuvendit ishte me vonesë, formimi i Qeverisë s’është antikushtetues

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë vendim lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Kërkesat kanë të bëjnë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstituimin e Legjislaturës XI, si dhe zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, njëzëri ka vendosur të deklarojë kërkesën të pranueshme.

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.

“Të konstatojë që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të kushtetutës së republikës së kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas vendimit, kalimi i këtij afati ka pasojë edhe fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë.

“Të konstatojë që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [zgjedhja e Presidentit], 95 [zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”

Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zgjedhin sa më shpejt nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

“iv. të konstatojë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”

Sa i përket qeverisë së zgjedhur më 13 shtator, gjykata ka konstatuar se vendimi për zgjedhjen e saj nuk është në kundërshtim me nenin 95 të kushtetutës.

“v. të konstatojë që vendimi [nr. 11-v-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”

Në vendim përcaktohet edhe afati për zgjedhjen e presidentit. Sipas gjykatës, afati 60-ditor ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

“vi. të konstatojë që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;”

Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme dhe ka urdhëruar komunikimin e aktgjykimit me palët dhe publikimin e tij në gazetën zyrtare.

Në fund, gjykata ka përcaktuar se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

“x. të konstatojë që ky aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër