Shkup, 29 shtator Zhurnal.mk – Pas më shumë se 30 vitesh përpjekje të pasuksesshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton se është pranë vendimit që projekti hidroenergjetik “Çebren” të financohet dhe të realizohet me mjete shtetërore.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se tashmë ka institucione financiare të interesuara dhe, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, gurthemeli për projektin mund të vendoset vitin e ardhshëm.
Mickoski theksoi se ndërtimi i këtij mega-projekti do të zgjasë më shumë se mandati i një qeverie, por sipas tij, ai do të sjellë përfitime të shumta për stabilitetin energjetik dhe menaxhimin e ujërave, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Ideja për ndërtimin e “Çebrenit” daton që nga viti 1964, ndërsa pas dhjetëra tenderëve të dështuar, mbetet të shihet nëse këtë herë paralajmërimet do të konkretizohen edhe në terren.
Paralelisht me këtë projekt, është paralajmëruar edhe një investim prej 46 milionë eurosh për modernizimin e gjashtë hidrocentraleve të mëdha në sistemet “Mavrovë”, “Drini i Zi” dhe “Tikvesh”.
Me zëvendësimin e pajisjeve të vjetruara gjatë viteve të ardhshme, synohet të reduktohen defektet, të rritet siguria dhe të zgjatet jetëgjatësia e impianteve.
