Editorial / Politika e keqe e shtetit streson qytetarët dhe mbi 34% vdesin nga sulmi në zemër ose në tru!

Nga I.A
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator – Çdo e treta vdekje në Maqedoninë e Veriut në vitin 2025 lidhej me një sëmundje të sistemit të qarkullimit të gjakut. Nga gjithsej 20,287 vdekje, 34 për qind si shkak kanë pasur sulmet në zemër dhe kjo është një shifër që duhet trajktuar me kujdes. Pyetja është se përse në vendin tonë njerëzit kanë më shumë sulme në zemër se sa ndonjë sëmundje tjetër. E gjitha lidhet me mënyrën e jetesës, por kryesisht shkak është jetë e stresuar, problemet e mëdha financiare, hallet e familjeve për mbijetesë dhe mostrajtimi i duhur i simptomave që ndikojnë deri te sulmet në zemër, shkruan “Zhurnal.mk”.

Shumica e njerëzve vdesin nga sulmi në zemër dhe sulmi në tru

Në kuadër të Ditës Botërore të Zemrës u publikuan të dhëna alarmante. 34 për qind e vdekjeve vijnë si rezultat i sëmundjeve të zemrës ose thënë ndryshe nga bllokimi i sistemit të qarkullimit të gjakut duke përfshirë edhe sëmundjet cerebrovaskulare që lidhen me rrjedhjen e gjakut në tru dhe çrregullime të tjera të enëve të gjakut.
Në vitin 2024, sëmundjet e qarkullimit të gjakut përbënin 36.7 përqind të vdekshmërisë totale, dhe në vitin 2025, përqindja ra në 34 përqind. Megjithatë, numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit pak nga 20,201 në 20,287 persona. Nëse përqindjet e publikuara dhe të rrumbullakosura zbatohen në numrin total të vdekjeve, kjo do të thotë afërsisht 7,400 vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut në vitin 2024 dhe rreth 6,900 në vitin 2025.

Vendi vuan nga tensioni i lartë i gjakut!

Maqedonia e Veriut ende ka një problem serioz me një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut – tensionin e lartë të gjakut.
Profili i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë vlerëson se në vitin 2024, rreth 50 përqind e njerëzve të moshës 30 deri në 79 vjeç në Maqedoninë e Veriut do të kenë hipertension. Kjo do të thotë rreth 655,000 njerëz.
Rreth 70 përqind e tyre ishin diagnostikuar, 58 përqind po merrnin trajtim, por vetëm 26 përqind e kishin tensionin e gjakut të kontrolluar. Sipas të njëjtit vlerësim, rreth 483,000 njerëz me hipertension e kishin gjendjen e tyre të pakontrolluar.
Tensioni i lartë i gjakut është veçanërisht i rrezikshëm pikërisht sepse shpesh nuk shkakton simptoma. Një person mund të mos e dijë se e ka për vite me radhë derisa të ndodhë një ndërlikim serioz. Në Evropë, OBSH-ja e veçon tensionin e gjakut si faktorin kryesor të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare.

Çka ndikon më shumë në ardhjen e këtyre sëmundjeve!

Faktorët bazë të rrezikut mund të zbulohen shumë më herët dhe me teste dukshëm më të thjeshta – tensioni i gjakut, sheqeri në gjak, lipidet, pesha e trupit, pirja e duhanit, aktiviteti fizik dhe historia familjare. Këto parametra tregojnë një rrezik në rritje të atakut në zemër, goditjes në tru, dështimit të zemrës dhe ndërlikimeve të tjera.

Në rast dhimbjeje ose presioni në gjoks, veçanërisht nëse përhapet në krah, shpatull, nofull ose shpinë, vështirësi në frymëmarrje, djersë të ftohtë, të përziera ose dobësi të papritur, OBSH-ja këshillon që të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore. Në rast goditjeje në tru, dobësia ose mpirja e papritur në njërën anë të trupit, të folurit e paqartë, problemet me shikimin, humbja e ekuilibrit ose dhimbja e fortë e papritur e kokës janë alarmante.

Mjekët familjarë nuk po i detektojnë me kohë sëmundjet!
Sëmundja kardiovaskulare mund të përparojë pa simptoma të qarta, dhe për disa njerëz, një atak në zemër ose goditje në tru mund të jetë shenja e parë që ka pasur një problem me enët e gjakut.
Prandaj, kontrollimi i rrezikut përpara se të shfaqen simptomat është i ndryshëm nga përpjekja për të vetë-diagnostikuar kur dikush tashmë po përjeton simptoma.
Mjekët e familjes duhet të kenë më shumë përgjegjësi dhe të diagnostifikojnë dhe monitorimin rritjet e tensionit në gjak sipas protokolleve klinike, pa pasur nevojë që pacienti të shkojë te një specialist për secilin hap.
Kur ka një indikacion mjekësor, mjeku familjar mund ta referojë pacientin për një ekzaminim specialist dhe diagnostikim shtesë.

Stresi dhe problemet ekonomike e familjare ndikojnë në sulmet në zemër

Stresi dhe problemet ekonomike e familjare ndikojnë drejtpërdrejt dhe rëndë në rrezikun e sulmit në zemër. Kur trupi përjeton presion të vazhdueshëm emocional, ai mbetet në gjendje alarmi dhe pëson ndryshime fizike të dëmshme.
Lidhja midis gjendjes emocionale dhe mirëqenies fizike është e drejtpërdrejtë: stresi kronik dhe vështirësitë jetësore rrisin ndjeshëm rrezikun e pësimit të një sulmi në zemër (infarkti i miokardit).
Kur një person përjeton stres të vazhdueshëm (qoftë nga puna, financat apo marrëdhëniet), trupi aktivizon vazhdimisht sistemin e reagimit “lufto ose ik”. Kjo sjell pasoja të rënda fizike, pasi që nivelet e larta të kortizolit dhe adrenalinës rrisin menjëherë rrahjet e zemrës dhe shtrëngojnë enët e gjakut.


Vështirësitë financiare janë ndër burimet më të fuqishme të ankthit afatgjatë. Pasiguria për të ardhmen, borxhet dhe pamundësia për të përmbushur nevojat bazë e mbajnë trurin dhe sistemin kardiovaskular në një gjendje alarmi të pandërprerë, pa i dhënë kohë zemrës të rikuperohet. Njerëzit me probleme ekonomike shpesh anashkalojnë kontrollet mjekësore, blejnë më pak barna të rëndësishme (si ato për tensionin apo kolesterolin) dhe kanë më pak qasje në ushqim të shëndetshëm, duke u ushqyer me produkte të lira e të procesuara që bllokojnë arteriet.
Gjithashtu, izolimi social, konfliktet e vazhdueshme familjare ose vetmia kanë një peshë të jashtëzakonshme në shëndetin e zemrës siç është mungesa e mbështetjes dhe konfliktet e brendshme.

Politika e keqe e shtetit ndikon në sulmet e zemrës

Politika e keqe dhe krizat politike ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e sulmeve në zemër. Kur një vend përballet me paqëndrueshmëri politike, korrupsion apo vendime të gabuara qeverisëse, pasojat nuk janë vetëm ekonomike dhe sociale, por përkthehen në një rrezik të lartë fizik për shëndetin publik.
Studimet e fundit mjekësore kanë provuar se tensioni sociopolitik është një faktor madhor rreziku për sistemin kardiovaskular.
Një studim i publikuar në platformën shkencore PNAS tregoi se gjatë periudhave të zgjedhjeve të tensionuara politike ose ndryshimeve të mëdha qeveritare, shkalla e hospitalizimeve për sulme në zemër dhe goditje në tru rritet ndjeshëm brenda pak ditësh.


Politika e keqe shpesh çon në inflacion, papunësi, rritje taksash dhe varfëri. Pasiguria financiare është e pamëshirshme për zemrën. Sipas të dhënave të publikuara nga National Institutes of Health (PMC), stresi i rëndë financiar lidhet me një rrezik deri në 13 herë më të lartë për të pësuar infarkt.
Kur menaxhimi politik i një vendi është i dobët, spitalet dhe shëndetësia vuajnë të parat, pasi që mungojnë barnat bazë ose janë shumë të shtrenjta, zgjaten rradhët për kontrolle kardiake dhe ka mungesë të politikave parandaluese, si fushatat kundër duhanit apo obezitetit.


Prandaj, politika nuk është thjesht diçka që shihet në televizor, por vendimet e politikanëve formësojnë mjedisin ku ne jetojmë. Një klimë e keqe politike dëmton arteriet e qytetarëve po aq sa ushqimi i keq apo mungesa e aktivitetit fizik, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër