Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Këtë javë do të shihen më shpesh në Gjykatën Penale! Në rresht të parë Bajrami dhe Grubi e pas tyre edhe 6 të akuzuarit e tjerë të bordit të “Lotarisë së Maqedonisë” përballë dy Prokurorëve publik.
Vërejtja kryesore e palës mbrojtëse në këtë seancë ishte që sipas marrëveshjes “Casions Austria” nuk ka drejtë ekskluzive për organizimin e lojërave elektronike të fatit. Avokati i njërit prej të akuzuarve, tha se organizimin e lojërave të fatit përmes aparateve VLT nuk e kanë vetëm ata në ujdinë e lidhur me Lotarinë Shtetërore. Elenko Milanov tha se Shoqëria aksionare shtetërore “Lotaria Shtetërore” e ka të drejtën të organizoj edhe vetë në mënyrë të pavarur, por edhe me subjekte të tjera private.
“Me këtë vërejtje dëshmohet se e gjithë procedura që është zbatuar rreth tenderimit dhe e drejta për organizim është e bazuar në ligj dhe nuk ka asnjë pengesë. Ajo që e vlerësoj se këtu do të duhej të paraqitej si çështje thelbësore është që në asnjë pjesë të kësaj aktakuze dhe ndaj asnjërit nga këta persona të akuzuar nuk vërtetohet që me furnizimin e këtyre VLT aparateve cilido qoftë ka arritur të merr vlera pasurore të kundërligjshme për vete”, theksoi Elenko Milanov.
Në prezantimin e vërejtjeve të aktakuzës nga të gjithë avokatët e të akuzuarve ndaj 231 provave materiale të prokurorisë spikati ajo e avokatit Milanov duke thënë që vlera e blerjes së aparateve VLT është rritur dukshëm në treg, që mund të ketë kontribuar në ekonominë e shtetit dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Ai e quan një investim frytdhënës që mund të vihet në funksion edhe sot.
“Ato pajisje edhe sot gjenden në hapësirat e Lotarisë së Maqedonisë dhe në hapat e mëtejme të procedurës besoj që do të ju dëshmojmë, para së gjithash gjykatës, por edhe të gjithëve se ai tender është në interes të shtetit sepse këto VLT aparate, duke pasur parasysh ndryshimet e çmimeve, sot vlejnë dukshëm më tepër dhe në çdo moment mund të aktivizohen nga SHA Lotaria Shtetërore”, shtoi Elenko Milanov.
Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë çështje gjyqësore janë të akuzuar edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Ata akuzohen për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe për shkaktim të dëmit ndaj SH.A. “Lotaria Shtetërore” në shumën prej 9.7 milionë euro, duke bërë furnizime të jashtëligjshme të aparateve të kumarit, të cilat asnjëherë nuk u përdorën për lojërat elektronike të fatit.
