Prishtinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se ekonomia qarkore paraqet mundësi për rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë së Kosovës, nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Këtë deklaratë ajo e bëri në edicionin e dytë të Western Balkans Circular Economy Expo 2026, ku përfaqësues të institucioneve, bizneseve, akademisë dhe organizatave zhvillimore nga Kosova dhe rajoni diskutuan për rolin e ekonomisë qarkore në transformimin industrial dhe tranzicionin e gjelbër.
Kusari-Lila tha se përmes Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, ministria po punon drejt një industrie më moderne, me kapacitete më të mëdha prodhuese dhe produkte me vlerë më të lartë të shtuar.
“Ekonomia qarkore është mundësi për ta bërë industrinë e Kosovës më konkurruese, më inovative dhe më të qëndrueshme”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se në këtë ngjarje, me ftesë të drejtoreshës së CDF-së, Nermin Mahmuti, dhe Urim Xharavinës nga Rilindja e Gjelbër, ishte e pranishme së bashku me ministren Fitore Pacolli dhe ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson.
Sipas saj, diskutimet u përqendruan në mundësitë që ofron ekonomia qarkore për bizneset dhe në rëndësinë e shfrytëzimit më efikas të burimeve.
“MINTI, përmes Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, po punon për një industri më moderne, me kapacitete më të mëdha prodhuese dhe produkte me vlerë më të lartë të shtuar. Në këtë drejtim, parqet industriale dhe zhvillimi i eko-parqeve krijojnë kushte për investime, bashkëpunim ndërmjet bizneseve dhe shfrytëzim më efikas të burimeve”, ka deklaruar ajo.
Ministrja theksoi se synimi është që industria vendore të krijojë më shumë vlerë, ndërsa bizneset e Kosovës të forcojnë praninë e tyre në tregjet evropiane.
“Vizioni ynë është një industri që krijon më shumë vlerë brenda vendit, forcon praninë e bizneseve të Kosovës në tregjet evropiane dhe e lidh rritjen ekonomike me mbrojtjen e mjedisit. Përmes parqeve industriale dhe ekonomisë qarkore, synojmë të hapim më shumë mundësi për investime e inovacion, duke ndërtuar një ekonomi më konkurruese dhe një të ardhme më të qëndrueshme për Kosovën”, ka shkruar Kusari-Lila.
